INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION MED+ SPORTS VIDEOS
Godet Rexhep Qose/ Kritikon Metën, Berishën dhe Bashën, por sugjeron zgjedhje të përgjithshme

Godet Rexhep Qose/ Kritikon Metën, Berishën dhe Bashën, por sugjeron zgjedhje të përgjithshme

Publikuar më: 09:25 28-06-2019

Akademiku Kosovar Rexhep Qosja akuzon Sali Berishën dhe Lulzim Bashën si personat përgjegjës që kanë ndikuar në krizën politike e institucionale në Shqipëri.

Ai shkruan se e gjithë kjo panoramë është plotësuar mjerisht prej anshmërisë partiake të Presidentit të Shqipërisë Ilir Meta.
Qosja si zgjidhje sheh përfundimin e zgjedhjeve lokale në 30 qershor dhe fillimin e bisedimeve me aktorët politikë shqiptarë, për të arritur në një dialog për zgjedhje të parakohshme.
“Vendi ka nevojë për katarsis, në mënyrë që të çohen përpara reformat”, këshillon akademiku.

Analiza e Rexhep Qoses:
Kriza e sotme politike e institucionale në Shqipëri, e nisur, e vazhduar dhe rrezikshëm e acaruar prej kryetarit të përparshëm, Sali Berisha dhe prej kryetarit të tanishëm të PD-së, Lulzim Basha, e plotësuar mjerisht prej anshmërisë partiake të kryetarit të Shqipërisë, Ilir Meta, dhe e shtuar me disa masa e me disa paraqitje të paliruara prej gjykimesh kur e kur cenuese të kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, e shton ndjenjën e pasigurisë të nënshtetasve shqiptarë që po e shton edhe ikjen e tyre prej Vendit të vet dhe e krijon një pamje shumë të përkeqësuar të Shqipërisë në Botë.
Djegia e mandateve të deputetëve të PD-së dhe të partive të tjera që me të përbëjnë opozitën, me çka janë fyer votuesit që ua kanë dhënë votën, i bën moralisht të pabindshme kërkesat e tyre dhe jodemokratike protestat e tyre.
Edhe për këtë arsye zgjedhjet e 30 qershorit mund të quhen të kundërshtuara prej një Opozite prej së cilës objektivisht nuk mund të jenë të kundërshtuara: prej një Opozite e cila duke djegur mandatet e deputetëve realisht e ka djegur vetëligjshmërinë! Zgjedhjet e 30 qershorit, prandaj, mund të mbahen. Mbajtja e tyre bëhet edhe më e arsyeshme qoftë edhe pse janë të pranuara prej atyre shteteve që janë me ndikimin më të madh, më të dëshiruar e më vendimtar politik, shtetëror e shoqëror në jetën dhe në politikën shqiptare: prej SHBA-ve, prej Mbretërisë së Bashkuar dhe prej shteteve të Bashkimit Evropian.
Nuk mund të kërkohet anulimi i zgjedhjeve, nuk mund të kërkohet largimi i kryetarit të partisë që ka fituar zgjedhjet – të kryetarit të Partisë Socialiste, prej një partie, prej një opozite, që bën përpjekje të vijë në pushtet me kërkesa të tilla, që bën përpjekje të vijnë në pushtet jo me zgjedhje po me protesta në të cilat mjete themelore janë gënjeshtrat, shpifjet, akuzat e pamatshme dhe dhunat e ndryshme.
Nuk mund të kërkohet anulimi i zgjedhjeve dhe nuk mund të kërkohet përmbysja e qeverisë siç po kërkon Partia Demokratike me aleatët e saj duke e tejshëmtuar pamjen e shtetit kombëtar, pamjen e Shqipërisë, para botës me gjithfarë akuzash e gjithfarë shpifjesh.
Nuk mund të kërkohet shtyrja e zgjedhjeve dhe përmbysja e kryeministrit dhe Qeverisë pa menduar se ajo shtyrje dhe ajo përmbysje kanë pasoja politike, institucionale, kushtetutare, shtetërore që nuk e sjellin tejkalimin por përshtrirjen e krizës.
Me gjithë të metat, gabimet, lëshimet, premtimet e parealizuara, gjuhën politike kur e kur të palejueshme të kryeministrit Edi Ramës, zgjedhjet e 30 qershorit do të jenë më premtuese se sa mohimi i tyre për zgjidhjen e krizës shqiptare. Mbas këtyre zgjedhjeve do të duhej të bëhej çmos për organizimin e bisedimeve politike mes palëve të krizës dhe atëherë do të mund të mendohej dhe do të mund të pranohej mbajtja e zgjedhjeve të parakohshme jo vetëm vendore por, pse jo, edhe të përgjithshme.

 

Article Logic
Execution time: 0.0033998489379883