INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION MED+ SPORTS VIDEOS
IN BLOG - Malokë jugu ose veriu, të gjithë jemi shqiptarë!

IN BLOG - Malokë jugu ose veriu, të gjithë jemi shqiptarë!

Publikuar më: 15:09 16-10-2017
Nga ANISA BEGA
Nuk jam nisur fare të bëj patrioten, apo ndonjë gjë tjetër. Mendova të shkruaj disa gjëra që kam hasur ndër vite, në vende dhe situata të ndryshme. Për arsye historike, apo sisteme qeverisëse, ne shqiptarët vazhdojmë të kemi vrer kur bëhet fjalë për dallime krahinore. Edhe në shtete të tjera ka dallime veriu, jugu, lindja ose perëndimi, por meqë jam më shumë në kontakt me vendin tim, kam më shumë raste të tregoj. Në përgjithësi edhe të huajt i marrim për nuse ose për burrë dhe nuk e kemi shumë problem këtë pjesë, por kur vjen puna te bashkëkombësitë tanë, fillojnë të  gjykojmë, madje deri në urrejtje. Pse, nga vjen kjo urrjetje, apo ky inat kaq i madh?
Në biseda të ndryshme edhe mes shoqërisë, dëgjon të thuhet: Me malok veriu? Jo kurrë, se ata janë të prapambetur! Me malok jugu? Jo kurrë, se ata janë fanatikë!
Si i bëhet tani, të rrimë të shajmë me detaje, çdo krahinë dhe të shprehemi se asnjë nuk ja vlen? Pse e shikojmë kaq cekët gjykimin e dikujt, jo nga fshati, kryeqyteti, qyteti etj?
Teoria e kompesimit është e pranishme, pra për t’u hequr  njësoj si njerëzit që jetojnë pranë. Nga këtu lindin më shumë dallimet e atyre që janë “të ardhur” dhe vendasve.
Kur del jashtë Shqipërisë, neve na shtohet edhe më shumë ndjesia e të qenurit shqiptarë, ndërsa kur jemi këtu vetëm bëjmë thashetheme duke thënë: Nuk bëhet Shqipëria me shqiptarë. Më falni, por me çfarë bëhet?!
Kur shkon në vende që janë përreth nesh, ku jetojnë shqiptarë, më ndodhë që ndihem shumë mirë. Në Ulqin këtë verë, kur mora një taksi, ose kur porosita në shqip u ndjeva vërtetë shumë mirë. Pra, jashtë kufirit unë gjeta gjuhën time, zakonet dhe traditat shqiptare. A nuk është bekim kjo gjë?! E njëjta gjë më ka ndodhur edhe në Kosovë dhe Maqedoni.  Ndërsa nëpër biseda të  përditshme, vazhdojmë edhe shajmë njëri-tjetrin sipas zonave të ndryshme shqiptare.
Nuk dua të nxjerr përfundime, të gjej arsyen pse ndodhë kjo gjë, por një gjë dua ta them me siguri, në fund të fundit të gjithë jemi shqiptarë dhe ta mbrojmë njëri-tjetrin, sidomos edhe në sytë e të huajve, mos të ndihemi inferiorë.
Article Logic
Execution time: 0.0037801265716553