PS: PD të heqë dorë nga shantazhet, zgjedhjet më 18 qershor

May 17, 2017

Pas qëndrimit publik të opozitës së bashkuar ka ardhur qëndrimi i parë zyrtar i Partisë socialiste mbi negociatat, e cila do ti jepte fund krizës politike në vendin tonë. Në një deklaratë të shpërndarë për mediat, selia rozë i bën thirrje opozitës të heqë dorë nga shantazhet dhe ti kthehet garës elektorale. Në emër të ligjit socialistët thonë se zgjedhjet do të jenë më 18 qershor.
Deklaratë e Partisë Socialiste
“Partia Socialiste shpreh keqardhjen për abuzimet mediatike të të ashtuquajturit koalicion opozitar, me një proces shumë serioz dhe delikat përpjekjesh për ta kthyer Partinë Demokratike në rrugën e arsyes.
Angazhimi në këto përpjekje edhe i partnerëve strategjikë amerikanë, pas ezaurimit të të gjitha përpjekjeve të miqve e partnerëve europianë të Shqipërisë (dhe të vetë Partisë Demokratike), është mirëpritur dhe konsiderohet prej nesh si mundësia e fundit për Partinë Demokratike për të hequr dorë nga shantazhet e rrugës dhe për t’u kthyer në rrugën e garës demokratike.
Partia Socialiste e mbështet fuqimisht këtë përpjekje të fundit dhe do të presë me durim, duke shpresuar deri në sekondën e rënies së gongut të fushatës zyrtare, për një rezultat pozitiv në funksion të përfshirjes së PD-së në zgjedhje. Për Partinë Socialiste, rezultat pozitiv do të thotë garanci si asnjëherë për opozitën në zgjedhjet e 18 qershorit, në respekt të Kushtetutës, ligjit, interesit të qytetarëve shqiptarë dhe sugjerimeve dashamirëse të partnerëve tanë ndërkombëtarë.
Filozofia e Partisë Socialiste, e mishëruar në programin e në betejën e përditshme të qeverisë sonë për të bërë shtet, nuk përjashton askënd dhe për asnjë arsye. Rregullat e bashkëjetesës demokratike, nuk vlejnë vetëm për qytetarët, por edhe për partitë politike. Asnjë parti politike dhe as të gjitha partitë politike së bashku, nuk mund të pretendojnë as të dalin mbi këto rregulla, e as të bëjnë pazare me këto rregulla. Përkundrazi, Partia Socialiste beson, se duhet të jetë forca e shembullit në përpjekjen për të bërë shtet dhe jo shembulli i forcës që thyen rregullat që asnjë qytetari nuk i lejohet të thyejë.

Shqipëria Europiane për Partinë Socialiste nuk është slogan, po një shtet dinjitoz, ku askush nuk është mbi Kushtetutën dhe ligjin”.

radio TV
Vere do te thote!

Facebook

LIKE Shqip Top 10

poll