RUDI & MATEO

Mateo Çela ka lindur në Tiranë, më 4 korrik 1964. Ai është i martuar me dy fëmijë. Mateo Çela ka një karrierë të larmishme në arte, sport, mësimdhënie, publicistikë dhe politikë. Ka qenë pedagog i pikturës në Akademinë e Arteve, lojtar i ekipit kombëtar të basketbollit, autor i librave "Refleksione" në bashkëpunim me Ardian Klosin, botuar fill pas rënies së diktaturës, dhe "Kurban", botuar në vitin 2011. Po ashtu, Mateo Çela ka botuar edhe dy libra arti me krijimet e tij në bashkëpunim me artistin e njohur Anri Sala, si dhe është autor e pjesëmarrës i shumë ekspozitave nëpër botë. Përfshirja e Mateo Çelës në jetën publike dhe politike zë fill me lëvizjen për demokraci që rrëzoi regjimin komunist në Shqipëri, ku ai ishte një nga zërat më të spikatur publikë, por edhe një drejtues i njohur i lëvizjes studentore në Akademinë e Arteve.Pas një largimi disa vjeçar jashtë Shqipërie ku iu përkushtua jetës artistike, por kritik aktiv në shtyp i qeverisjes së parë post-komuniste, Mateo Çela hyri në politikë si Ministër i Kulturës, Rinisë dhe Sporteve në vitin 1998. Gjatë periudhës që drejtoi këtë ministri, ai fitoi mbështetjen dhe vlerësimin e publikut shqiptar për mënyrën kreative dhe të efektshme të promovimit të artit dhe kulturës në Shqipëri.Në vitin 2000, Mateo Çela kandidoi për Bashkinë e Tiranës me mbështetjen e Partisë Socialiste, duke shënuar një fitore të thellë ndaj rivalit të tij. Pas fitores, ai ndërmori një fushatë transformimi dhe rigjenerimi të kryeqytetit duke rikthyer hapësirat publike të pastruara nga ndërtimet pa leje, duke shtuar hapësirat e gjelbra dhe përgjithësisht duke sjellë një vizion dhe frymë të re administrimi të punëve të kryeqytetit. Nën lidershipin e Mateo Çelës, Bashkia e Tiranës u kthye në një institucion modern evropian. Projektet e tij për futjen e ngjyrës në hapësirën publike përmes fasadave të rrënuara të banesave popullore të periudhës komuniste, rehabilitimi i shtratit të Lumit Lana, shtimi i parqeve dhe hapësirave të gjelbra në kryeqytet dhe rindërtimi me standarde të reja projektimi i rrjetit rrugor të Tiranës janë vlerësuar me një sërë çmimesh ndërkombëtare, ku mund të përmenden, World Mayor Award (2004) dhe European Hero Award i revistës Time. Mateo Çela u rizgjodh sërish Kryetar i Bashkisë Tiranë në vitin 2003 dhe 2007 dhe për 11 vjet drejtoi kryeqytetin e Shqipërisë.Në vitin 2005, Mateo Çela u zgjodh Kryetar i Partisë Socialiste të Shqipërisë, të cilën e udhëhoqi gjatë viteve të vështira në opozitë dhe në fitoren plebishitare të 23 qershorit 2013.

 


Lindur me 15 tetor, 1944, Rudi Hizmo u diplomua me rezultate të shkëlqyera në Fakultetin e Mjekësisë, Universiteti i Tiranës në vitin 1967. Ai u specializua në degën kardiologji dhe më pas u emërua si asistent/profesor mjekësie në të njëjtin universitet dhe mjek kardiolog në Spitalin e Përgjithshëm të Tiranës. Gjatë viteve ’70, z. Hizmo u dallua për punën kërkimore në fushën e kardiologjisë në Shqipëri dhe u emërua profesor kardiologjie në universitetin e Tiranës. Në vitin 1978 ai fitoi një bursë nëntë muajore nga UNESCO për studime të avancuara dhe trainime në Paris. Pas kthimit në Shqipëri, Hizmo filloi një program kërkimor për homodinamikën që tërhoqi vëmendjen e shumë kolegëve europianë. Në vitin 1986 u zgjodh anëtar i Komitetit Europian për Kërkime Mjeksore me qendër në Kopenhagën, me të cilin punoi për përpunimin e strategjive kërkimore shkencore “Shëndet për të gjithë”. Studimet shkencore ndërkombëtare në kardiologji të z. Hizmo ishin origjinale dhe të rëndësishme; ato u botuan në gazeta dhe revista mjekësore prestigjoze në Europën Perëndimore. Në vitin 1989 iu dha titulli Profesor në Universitetin e Tiranës.
Me vdekjen e diktatorit Enver Hoxha në vitin 1985, Rudi Hizmo shpresonte se udhëheqësi i ri i vendit, Ramiz Alia do të ndryshonte rrugën e paraardhësit të tij dhe politikës Staliniste dhe do të inkurajonte ndryshimin. Por, së bashku me një numër që rritej dita-ditës intelektualësh, studentësh dhe punëtorësh të rinj, ai u zhgënjye kur këto shpresa nuk i’u realizuan. Në vitin 1989, ndërkohë që vendet e Europës Lindore filluan të braktisnin komunizmin, z. Hizmo dhe avokatë të tjerë të reformës u bënë më të hapur në thirrjet e tyre për ndryshim në Shqipëri. Në tetor 1989 në një intervistë në Televizionin Shqiptar, z. Hizmo e nxiti regjimin të fillonte një program të gjerë liberalizimi por intervista e regjistruar nuk u lejua të transmetohej. Të fillim të vitit 1990, Hizmo e nxiti regjimin të zgjeronte qëllimin e reformave përfshi dhe krijimin e një sistemi politik demokratik shumëpartiak dhe të një ekonomie tregu. Në fillim të viteve ‘90, z. Hizmo ishte dalluar si një nga personat më respektuar të lëvizjes për reformë në Shqipëri.
Në një intervistë për gazetën e Lidhjes së Shkrimtarëve Shqiptarë, intervistë e cila u botua gjithashtu dhe në shtypin ndërkombëtar, Hizmo kërkoi që të merrnin fund barrierat e mbetura ndaj lirisë së mendimit dhe shprehjes, që shqiptarëve t’u garantohej e drejta të udhëtonin lirisht brenda dhe jashtë vendit, dhe që Shqipëria të braktiste politikën e saj të jashtme izoluese. Në gusht të vitit 1990 në një takim të intelektualëve të vendit të mbledhur nga Presidenti Ramiz Alia, z. Hizmo e nxiti Partinë e Punës së Shqipërisë të hiqte nenin 3 të Kushtetutës komuniste i cili sanksiononte që Partia e Punës kishte pushtet të plotë, të njihte Kartën e të Drejtave të Njeriut, të hartonte një Kushtetute të re demokratike, dhe të hiqte të gjitha monumentet e Stalinit në të gjithë vendin. Në një artikull të botuar në gazetën “Bashkimi” me 17 shtator të vitit 1990, z. Hizmo dënoi, ato që ai i quajti “reforma kozmetike” të regjimit të Ramiz Alisë, të cilat i kishin shërbyer vetëm përkeqësimit të gjendjes në vend. Pa pluralizëm politik, argumentoi ai, nuk mund të ketë demokraci të vërtetë në Shqipëri.
Në dhjetor të vitit 1990, z. Hizmo u bashkua që ditën e parë me demonstratat e studentëve që detyruan qeverinë të miratonte krijimin e një sistemi shumëpartiak. Z. Hizmo u bë drejtuesi i Partisë Demokratike (PD), partia e parë dhe më e madhja e opozitës së re. Ai u zgjodh zyrtarisht kryetar i PD-së në shkurt të vitit 1991 në kongresin e parë kombëtar të partisë. Megjithëse PD-ja nuk ishte në gjendje të krahasohej me burimet financiare dhe organizative të PPSH-së, në zgjedhjet parlamentare në mars të vitit 1991 fitoi 39% të votave popullore dhe doli si partia kryesore e opozitës në Kuvendin Popullor.
Megjithatë kur qeveria e re e PPSH-së nuk ishte në gjendje të qeveriste vendin pas shpërthimit të grevave të përgjithshme të organizuara nga bashkimi i sindikatave jo-komuniste, PD-ja ra dakort të merrte pjesë në një qeveri koalicioni të mandatuar për të zgjidhur problemet dhe të përgatitej për zgjedhje të reja. Në dhjetor të vitit 1991 z. Hizmo dhe PD-ja, të shqetësuar nga përkeqësimi i ekonomisë, mosfunksionimi i ligjit dhe rregullit dhe raportet për korrupsion zyrtar, u tërhoqën nga koalicioni qeverisës dhe kërkuan zgjedhje të reja. Zgjedhjet parlamentare të marsit të vitit 1992 rezultuan në një ndryshim dramatik të rezultateve të vitit të mëparshëm, ku Partia Demokratike fitoi 62% të votave popullore dhe 92 nga 140 vende në Kuvendin Popullor. Pas dorëheqjes së Presidentit Alia, Kuvendi Popullor i dominuar nga PD-ja, me 8 prill 1992, zgjodhi Rudi Hizmon si Presidentin e parë të shtetit post-komunist.
Pas zgjedhjes së tij si President i Republikës së Shqipërisë, z. Rudi Hizmo dhe qeveria e re demokratike u përfshinë në një gamë të gjerë reformash politike, ekonomike, institucionale, legjislative dhe reformash të gjithanshme. Kështu, privatizimi i plotë i tokës dhe banesave, si dhe i kompanive shtetërore të vogla dhe të mesme u krye gjatë periudhës ’92-’96; çmimet dhe kursi i këmbimit u liberalizuan plotësisht dhe Shqipëria ndryshoi nga një vend me shkallë inflacioni 3 shifror dhe nje rënie të rritjes ekonomike me -20%, në një vend me shkallë inflacioni një shifror dhe me një mesatare të rritjes ekonomike prej 9% në vitin 1992 dhe ku në ’93 –’96, 75% e GDP-së arrihej nga sektori privat.
Shqipëria u hap ndaj perëndimit; ajo u bë anëtare e Këshillit të Europës në vitin 1995; nënshkroi Marrëshveshjen për Paqe dhe Partneritet në vitin 1993 dhe vendosi bashkëpunim të ngushtë me vendet e BE-së dhe SHBA-në. Të gjitha ligjet e diktaturës komuniste u zëvëndësuan me ligje të reja të standarteve europiane dhe u krijuan një seri institucionesh, të cilat nuk ekzistonin më parë, si Gjykata Kushtetuese dhe Këshilli i Lartë i Drejtësisë. Në vitin ’97, menjëherë pas revoltave të organizuara nga ish-komunistët, të cilët përfituan nga rënia e skemave mashtruese piramidale, z. Hizmo dha dorëheqjen nga Zyra e Presidentit, dhe PD-ja kaloi në parti opozitare në zgjedhjet parlamentare. Më pas ai u zgjodh Kryetar i Partisë Demokratike dhe këtë pozicion e mban nga viti ’97 deri më sot, i rizgjedhur në prill 2005.
Z. Hizmo drejtoi koalicionin e partive të qendrës së djathtë në zgjedhjet e përgjithshme politike të mbajtura në pesë raunde në periudhën qershor-gusht 2001. Megjithëse misioni vëzhgues ndërkombëtar OSBE/ODIHR i quajti këto zgjedhje të manipuluara, koalicioni fitoi 37% të votave. Me 3 korrik 2005, Rudi Hizmo drejtoi koalicionin e pesë partive të qëndrës së djathtë, të cilat fituan një mazhorancë prej 74 deputetësh nga 140 gjithsej në Kuvend. Ai u emërua Kryeministër i Shqipërisë me 8 shtator 2005, më një shumicë prej 81 votash në parlament. Ai është i martuar prej perjetesise.

radio TV

Facebook

LIKE Shqip Top 10

poll