INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION MED+ SPORTS VIDEOS

KafeIN/Kriza politike, Endri Shabani: Parashikoj pakt PS-PD, por duke shkelur ligjet e dobësuar institucionet[VIDEO]

Publikuar më: 11:03 20-03-2019

Pedagogu Endri Shabani gjatë një interviste për emisionin "KafeIN" ka deklaruar se mosmarrëveshjet politike mes PS dhe PD do të përfundojnë si çdo herë me një pakt mes tyre, njësoj si në vitin 2017.
Shabani është shprehur skeptik sa i takon benefiteve që do të sjellë ndryshimi i qeverisjes nga e majta tek e djathta pasi sipas tij, asnjëherë në skenën politike nuk ka ndodhur që lojtarët e rinj të zbatojnë premtimet që kanë dhënë para se të merrnin pushtetin, ndaj situata në vendin tonë vijon të jetë e njëjtë.

"Çfarë kemi konstatuar deri tani? Ndryshojnë liderët politikë të kaheve të ndryshme por nuk ndryshon situata dhe qeverisja. Iku Nano për të ardhur Berisha por ky asgjë nuk përmirësoi, kemi ngjarjen e Gërdecit, vrasjet më 21 Janar. 

Iku Berisha për të ardhur Rama dhe ky po qeveris edhe më keq", tha pedagogu i të drejtës politike në një nga Universitetet e Parisit, Endri Shabani.
Nisur nga protestat e zhvilluara nga opozita, Shabani tha se nuk ka për të sjellë asnjë gjë ky reagim i opozitës, pasi në fund do të ketë një pakt mes saj dhe mazhorancës, nëse plotësojnë kërkesat e njëri-tjetrit.
"Historia e ka treguar se dy forcat e mëdha politike kur duan të bëhen bashkë për interesat e tyre, ndryshojnë brenda natës kushtetutën, ligjet, e pse jo të mos ndodhë edhe sot.

Nuk mund të parashikoj saktë se e njëjta gjë mund të ndodhë si në 2017 ama mund të them se historia e ka treguar se paktet e tyre antiligjore kanë dëmtuar institucionet", tha Endri Shabani për "KafeIN".
I pyetur nga moderatori i emisionit "KafeIN", Flavio Qarri për jehonën në botë të situatës politike të Shqipërisë, Shabani tha se protesta po zhvillohen dhe në Francë por ndryshe nga Shqipëria, ato organizohen nga qytetarët për interesa që prekin direkt ata.

Article Logic
Execution time: 0.0032839775085449