INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION SMART MED+ SPORTS VIDEOS
Koha kur bëhej gazetari ndryshe...

Koha kur bëhej gazetari ndryshe...

Publikuar më: 10:33 26-09-2018

Gazetaria përfundimisht ka ndryshuar si profesion. Kjo në gjithë botën, dhe ca më shumë në Shqipëri, për shkak të bumit teknologjik dhe futjes ne lojë të mediave sociale. Vetëm në Shqipëri janë 800 portale, ku mendohet se jo vetëm çdo lëvizje politike, por edhe çdo njeri i fuqishëm ka nën kontroll një prej tyre, dhe e përdor për të sulmuar kundërshtarët. Lexuesi nuk di më çfarë të besojë. Aq i shtrëmbëruar është fakti dhe e vërteta, sa gazetaria ka humbur plotësisht misionin e saj si pushtet i katërt.
Dikur, 20 vite më parë, gazetat ishin më të lexuarat në Shqipëri, dhe gazetari i mirë dukej nga tema për të cilën shkruante dhe nga mënyra se si shkruante. Sot duket se gazetarë quhen vetëm ata që dalin në televizor, që në fakt shumica janë spikerë. Njerëz që ndoshta nuk kanë bërë kurrë gazetari terreni dhe kanë nisur punën e tyre të parë direkt në studio. Gazetarët e terrenit janë të fshehur, të pavlerësuar dhe më të keqpaguarit dhe pavarësisht se përpiqen të zgjedhin fjalët në artikujt e tyre, impakti në publik është i vogël krahasuar me ata të ekranit, që shpesh thonë gjëra pa kuptim. Sigurisht një pjesë e tyre as lajmet dhe as tematikën për të cilën flasin nuk e shkruajnë vetë. Dyshoj madje që shumë prej tyre dinë të shkruajnë, por gjithsesi. Ky është realiteti. Nuk më takon mua të përcaktoj se cili duhet të quhet gazetar, përsa kohë ka universitet gazetarie. Por këtu po përpiqem të sjell një copëz nga historia e gazetarisë ku unë kam marrë pjesë këtu e 18 vite më parë.

Atëkohë ishte gazetari lufte, jo vetëm brenda Shqipërisë. Gazeta ku punova për 8 vite rresht, (1997-2005), nisi një seri udhëtimesh në rajon dhe duke qenë redaktore e lajmeve të botës dhe rajonit, pata fatin të përfshihesha tek të gjitha këto udhëtime ne momentet më dramatike të situatës në rajon, ku veç luftës në Kosovë, tensionet kishin përfshirë edhe Maqedoninë dhe Luginën e Preshevës në Serbi. Kemi udhëtuar në Mitrovicë pak pas përfundimit të luftës, në Maqedoni e Mal të Zi për të shkruar për problemet e shqiptarëve atje. Mbresa të veçanta më ka lënë udhëtimi në Luginën e Preshevës në prill 2002, pak pasi kjo luginë me popullsi shqiptare brenda territorit serb, sapo kishte dalë nga lufta e vitit 2000-2001, një luftë mes serbëve dhe shqiptarëve që pati viktima dhe dëmtime materiale.

Gjithë çështja ishte si do hynim në Luginë, e cila ishte territor serb, dhe marrëdhëniet mes serbëve dhe shqiptarëve të Kosovës ishin tejet të tensionuara, fill pas luftës së Kosovës '99 dhe gjithë zhvillimeve të vendosjes së trupave të KFOR-it. Kosova ende nuk kishte shpallur mëvetësinë, dhe ishte nën protektorat ndërkombëtar. Bashkë me kolegët Arion Sulo, Bashkim Shala dhe Admirina Peçi, u takuam me gazetarë të Kohës Ditore dhe njëri prej tyre Metali Krasniqi i cili jetonte në Preshevë, mori përsipër të na ftonte në Luginë dhe të na merrte me makinën e tij.

Metaliu na tha qartë: do thoshim në kufirin që ndante kosovën me Serbinë se ishim miq të tij, në asnjë mënyrë nuk do tregonim pasaportat tona shqiptare. Binte shi dhe një polic i gjatë serb na u afrua. Na pa, por Metaliu doli me vrap e foli serbisht me ta. Nuk dimë çfarë i tha, por pasi folën një copë herë, polici ngriti traun. Nuk u ndjemë shumë trima për këtë akt, por më pas e kuptuam se kishte qënë dicka e pazakontë. Nëse serbët do e dinin që ishim shqiptarë nga Shqipëria, ndoshta do na fusnin në burg. Jo ndoshta, por padiskutim. Këtë na i thanë më vonë njerëzit e Luginës që takuam, por e vërtetuam pas kthimit tonë në Kosovë (qe ishte më i lehtë, se ishin të njëjtët policë dhe u kthyem brenda ditës), dhe më vonë pas kthimit në Shqipëri. Shqiptarët e Luginës i dërguan një letër falenderimi gazetës Shekulli, ku vlerësohej guximi ynë si shqiptarët e vetëm që kishin hyrë në Luginë pak pas luftës. Gazeta mban datën 29 prill 2002 dhe gjithkush mund ta gjej falenderimin e shqiptarëve të Luginës për gazetarët shqiptare. Në fakt ne nuk menduam që ishim trima, pasi as që e mendonim se çfarë ishte lufta që ata kishin përjetuar. Gjithsesi ishte një eksperiencë e bukur. Shkrimin e asaj kohe e kam ruajtur vetëm këtu në Revisten Jehona, i vetmi organ mediatik shqiptar që botohej në Preshevë, e cila botoi artikullin tonë pak kohë më vonë dhe na dërguan një kopje me postë.

Kolegët e mi, mund të kenë histori të tilla, ndoshta shumë më tepër sesa unë dhe mirë është që shumë prej tyre të ribotohen, për të ndikuar sadopak në risjelljen e vlerave të profesionit të bukur të gazetarisë. Sot shumë njerëz i dëgjoj që vetquhen gazetarë, por kur i thua më trego një shkrim që ke shkruar, është e vështirë të përgjigjen. Shqipërise sot i duhen gazetarë që guxojnë të shkruajnë e kritikojnë qeveritë që bëjnë zullume, që shkelin kushtetutën, ligjin dhe të drejtat e njeriut. Fatkeqësisht ata sot numërohen me gishtat e dorës. Respekt për ata gazetarë, që ende sot guxojnë.

Falenderojmë Eva Kushova për shkrimin e publikuar në intv.al.

radio TV

Të fundit

Kryesore

    LIKE Shqip Top 10

    poll
    Article Logic
    Execution time: 0.0013370513916016
    array(1) { ["section"]=> string(37) "koha-kur-behej-gazetari-ndryshe-73025" }