INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION MED+ SPORTS VIDEOS

Kush do na kurojë? Studim, shumica e mjekëve elitarë duan të ikin nga vendi[VIDEO]

Publikuar më: 13:08 31-10-2018

Shqipëria ka normën më të ulët të mjekëve për mbulimin e kujdesit shëndetësor për popullsinë, me 1.2 mjekë për 1000 banorë. Po ky hendek negativ do të thellohet edhe më shumë pasi sipas një studimi të kryer me një kampion prej 1 mijë mjekësh afro 78% e atyrë që aktualisht punojnë në spitalet tona duan të ikin nga vendi. 

Studimi i kryer nga Shoqata “Together for Life” thekson se 24% e bluzave të bardha duan të largohen menjëherë dhe 54% do të largohen kur t’u jepej mundësia. Vihet re një prirje më e madhe e gjinisë femërore. Afro 84% e mjekeve dhe 74% e punonjësve burra të shëndetësisë nuk duan të qëndrojnë më në Shqipëri.
Situata më problematike, sipas ekspertes, paraqitet në qendrat universitare dhe spitalet rajonale, ku mjekët kanë edhe prirjen më të madhe për t’u larguar menjëherë nga vendi gati, 54% e tyre.

Gjithashtu vihet re një tendencë për largim e mjekëve me grada shkencore, 32% e të cilëve e konsiderojnë të rëndësishëm largimin e tyre nga Shqipëria. Ndër shkaqet kryesore që i nxisin mjekët për t’u larguar në një vend tjetër janë: serioziteti në punë, mbështetja financiare, si dhe kushtet më të mira të punës.
Shumica e mjekëve ankohen se kanë mangësi në shërbime, 26% e të cilëve pretendojnë mungesa në të gjitha shërbimet dhe 60% në disa prej shërbimeve. Është shqetësues fakti se ata që ankohen më shumë për mungesa janë mjekët e spitaleve universitare, 56% e të cilëve pretendojnë mungesa në të gjitha shërbimet dhe 40% mungesa në disa prej shërbimeve. Mjekët në vend ndihen të pakënaqur, të mbingarkuar me punë, të nënvlerësuar dhe të stresuar.

Rekomandimet për parandalimin e eksodit të mjekëve:

Bazuar në gjetjet dhe përfundimet e studimit, duke marrë në konsideratë nevojën për parandalimin dhe reduktimin e fenomenit të largimit të mjekëve, më poshtë do të vijojnë disa rekomandime kryesore për masat që duhet të ndërmerren nga institucionet për të përmirësuar gjendjen në sistemin shëndetësor. Këto lidhen me:
-Investime në infrastrukturën shëndetësore.
-Rishikimi i kuadrit ligjor për gabimet mjekësore.
-Mundësi për rritje profesionale dhe akademike.
-Përmirësim i menaxhimit të brendshëm në institucionet shëndetësore.
-Përmirësim i imazhit të mjekëve dhe uljes së presionit të pacientëve ndaj bluzave të bardha.
-Ndërmarrje e politikave që i bëjnë mjekët të shërbejnë si ura lidhëse midis Shqipërisë dhe vendeve ku ata punojnë jashtë.

Article Logic
Execution time: 0.0035800933837891