INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION MED+ SPORTS VIDEOS
Marrëdhëniet e shkurtra: pse janë të nevojshme dhe çfarë ju mësojnë

Marrëdhëniet e shkurtra: pse janë të nevojshme dhe çfarë ju mësojnë

Publikuar më: 16:13 28-07-2017

Marrëdhëniet e shkurtra mund të jenë të pranishme në çdo kohë të vitit, por vera ndeshet më shumë me to.

Kjo është periudha ideale për të jetuar flirtet më të mira dhe për të njohur njerëz të rinj. Gjatë kësaj kohe njerëzit priren të jenë më të hapur për t’u relaksuar dhe për të përjetuar kënaqësi. Studimet e fundit tregojnë se ndryshimet hormonale gjatë kësaj periudhe na bëjnë të jemi më energjikë. Shumë prej nesh do ta përshkruanin romancën e verës si diçka magjike, të mbushur me emocione të reja dhe zbavitëse, të paharrueshme, të lumtur, që të lë pa frymë.

Romancat verore mund t’i quajmë ndryshe si “pushime të shkurtra nga vetja” dhe nga “bota” në të cilën jetojmë. Termi “romancë” është një term i përgjithshëm, që i referohet një marrëdhënieje intime dhe shpesh seksuale midis dy njerëzve. Ato në përgjithësi ju mësojnë diçka të re rreth vetes suaj dhe mënyrës se si e shihni partnerin tuaj. Përgjithësisht ato “nuk jetojnë” gjatë dhe ka një “sens urgjence” për të shijuar momentet e saj. Është si të thuash një intimitet i nxituar, gjatë të cilit ju keni aq pak kohë për të njohur personin që keni në krah, sa nuk mund të “luani” lojërat e zakonshme si në marrëdhëniet e tjera. Kjo është koha kur tjetri është tërësisht interesant. Nga pjesa më e madhe e njerëzve kjo shihet si një periudhë argëtuese, duke mos u shqetësuar për sjelljet e “partnerit” veror. Të pasurit e një romance verore është me rrezikshmëri të ulët deri në momentin kur nuk filloni të mendoni dhe ta pëlqeni atë që keni takuar si një person shumë më tepër se atë që pritet. Një nga vështirësitë që ndeshet shpesh tek njerëzit është mënyra se si ata vendosin ta përshkruajnë dhe ta cilësojnë marrëdhënien e tyre. Është e rëndësishme që në fillim të çdo marrëdhënieje të dy partnerët të jenë të qartë dhe të shprehin pritshmërinë e tyre në lidhje me atë që kërkojnë, në mënyrë që të shmangin zhgënjimin. Ky mund të jetë çelësi kryesor kur njerëzit vendosin të jenë pjesë e një romance verore: të jenë të qartë dhe të diskutojnë pritshmërinë e tyre, që në fund të jetë më e lehtë për të thënë lamtumirën e fundit dhe asnjë të mos mbetet i lënduar.

Si i shohin individë të ndryshëm këto romanca?

Në psikologjinë e personalitetit të Carl Jung, individët shfaqin predispozicionin për të qenë ekstrovert ose introvert.

Tipat e personalitetit ekstrovert janë komunikues, të hapur, adaptohen lehtë me njerëz dhe ambiente të reja, shpalosës të ndjenjave dhe nuk preferojnë vetminë. Ata e presin me padurim këtë periudhë verore, shpërthejnë me energjinë e tyre duke planifikuar nga situatat spontane të shkëmbejnë eksperienca të ndryshme me njerëz të rinj dhe kanë predispozita më të mëdha për të eksploruar dhe marrë përsipër “riskun” e panjohur të romancave verore.

Ndërkohë, tipat e personalitetit introvert janë të prirur së brendshmi drejt botës personale, janë meditativë, më pak të shoqërueshëm dhe pëlqejnë jetën shpirtërore. Ata kalojnë një kohë të gjatë para pushimeve verore, duke menduar se si do të organizohen që gjërat të shkojnë sa më mirë dhe jo jashtë planifikimeve të bëra prej tyre. Shumë këshillues dhe psikologë shprehen se romancat verore janë të shëndetshme dhe pozitive. Përjetimi i emocioneve të reja e bën individin të jetë aktiv, i plotësuar, energjik, optimist dhe me një vetëvlerësim të lartë për veten. Romanca verore mund të përkufizohet ndryshe si një “muaj mjalti”, gjatë të cilit ndihesh tërësisht i tërhequr nga pala tjetër. Dhe kjo është ajo që e bën këtë romancë verore të duket magjike dhe e përsosur. E bën dashurinë të shfaqet si “Ideale”. Natyrshëm mund të lindë pyetja: A duhet të kemi një romancë verore? “Psikologë të ndryshëm shprehen se është një domosdoshmëri, për aq kohë sa secili prej nesh e trajton atë me përgjegjësi dhe nuk gënjen personin tjetër, duke qenë të qartë me të dhe veten. Një ‘hallakatje’ e verës mund t’ju dhurojë kujtime dhe emocione të mrekullueshme, të ndryshme dhe të paharrueshme!” Por, a mundet një romancë verore të kthehet në diçka të vërtetë?
Shumë shpesh, kur fillojmë një romancë verore, nuk pyesim sesi do të përfundojë.

Mirëpo jo të gjitha romancat verore mbarojnë me një “lamtumirë”. Nuk është për t’u përjashtuar fakti se mund të njihni edhe shpirtin binjak. Diçka në lidhje mund të ndryshojë, dhe shigjeta e Kupidit mund të godasë të dy partnerët. Shumë njerëz gjatë fillimit të një romance verore nuk nisen me idenë se ajo do të kthehet në diçka më shumë. Ai person që ju keni menduar se do të jetë vetëm për disa muaj, mund të kthehet në dikë që mund të jetë rreth e rrotull jush për një kohë më të gjatë. Ju nuk e dini sesi do jetë ai dhe marrëdhënia që ju do krijoni me të, derisa të filloni njohjen.
Vetëm “lëreni që kjo të ndodhë”… Nëse marrëdhënia vjen, atëherë romanca verore u kthye në një gjë të vërtetë! Të gjitha marrëdhëniet kanë pasoja. Nëse ne lejojmë ndjenjat tona të jenë të përfshira, ndërkohë që personi tjetër nuk është duke menduar në të njëjtën mënyrë, atëherë zhgënjimi është i detyruar të ndjekë fundin e romancës suaj verore. Por nëse ju ndiheni mirë, atëherë stina e verës nuk do t’ju pengojë të keni dhe diçka më shumë sesa një romancë verore. Nëse ju e doni njëri-tjetrin, atëherë asgjë nuk mund të ndryshojë!

Nëse do ta jetonim marrëdhënien tonë siç ne e jetojmë në romancat tona të verës, çfarë do të ndryshonim? Si do të sillemi? Shpesh ne jemi tepër të verbuar për t’u fokusuar në kufizimet e partnereve tanë dhe harrojmë t’i duam, t’i bëjmë të lumtur, të kemi argëtim e të jemi të paharrueshëm. “Marrëdhëniet e shëndetshme kërkojnë vëmendje”. Zemra dëshiron atë që dëshiron, dhe njerëzit do të kenë marrëdhënie nëse mjedisi është i përshtatshëm.

Article Logic
Execution time: 0.0025601387023926