INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION MED+ SPORTS VIDEOS
Negociatat, Basha: Gjermania skeptike! Më pyetën për Tahirin, jo ditë për të festuar por...

Negociatat, Basha: Gjermania skeptike! Më pyetën për Tahirin, jo ditë për të festuar por...

Publikuar më: 16:08 18-04-2018

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha në një deklaratë për mediat menjëherë pas kthimit nga Gjermania, u shpreh se opozita ishte pro hapjes së negociatave dhe e nisi e para punën për lobimin në vendin më të fuqishëm të BE, pikërisht në Gjermani për këtë aspiratë të madhe të shqiptarëve.

“Unë isha në Gjermani për të zhvilluar bisedime intensive me partnerët tanë për të kërkuar votën pro të Gjermanisë, që renditet ndër vendet skeptike. Rekomandimi është ftesa për t’u futur në oborrin e BE, por derën e hapin vendet anëtare, që mblidhen të vendosin në qershor.Hapja e negociatave është në vetvete një proces i gjatë, 35 kapituj negociatash, duhet një punë e gjatë dhe voluminoze për t’i arritur këto. Sot nuk është dita për të festuar, por për të punuar.

Ne e nisëm punën para së këtu të vinte Mogherini, në vendin më të rëndësishëm, në Gjermani. Për Gjermaninë nuk janë 5 rekomandime për tu plotësuar, por janë 7 rekomandime, dekriminalizimi dhe reforma zgjedhore.

Ne kërkuam në mënyrë të qartë që Shqipërisë t’i hapen negociatat, por nga gjermanët kemi hasur në skepticizëm dhe mosbesim.

Raportet e tyre tregojnë se nuk është kapur asnjë kryebandit. Shqipëria ka humbur akoma më tepër vende në luftën kundër korrupsionit. Reforma në drejtësi po ecën me hapa të ngadalta. Reforma administrative, në raportin gjerman thuhet se vetëm në vitin e fundit 30% e punësimeve janë politike. Detyra e opozitës nuk është të fshehë të vërtetën.
Ne kërkojmë hapjen e negociatave, sepse kjo do të rrisë presionin mbi qeverinë.Pyetja e parë që mu bë është pse po e kërkojmë? Më thanë që banditët janë në arrati, por edhe figura të larta si Saimir Tahiri. Gjermania është e mirëinfomuar, i dinë të gjitha. Dinë që ai s’po arrestohet, ashtu si dy shefat e lartë të policisë që ia mbathën. Shqipëria renditet në 11 vendet më të korruptuara. Pavarësisht kësaj ne thamë se sa më shumë të vijojë integrimi, aq më shumë presion do ketë mbi qeverinë”, u shpreh Basha.

Article Logic
Execution time: 0.0034770965576172