INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION MED+ SPORTS VIDEOS
Një mesazh thjeshtësie për vajzat shqiptare

Një mesazh thjeshtësie për vajzat shqiptare

Publikuar më: 09:14 30-05-2018

Dasma mbretërore e Anglisë fundjavën e shkuar më la një shije të mirë. Thjeshtësia e nuses në një një mbretëri që lundron në para, ishte mesazhi më pozitiv që mund të marrin gjithë gratë e vajzat në botë, edhe në Shqipëri. Shohim botën e showbizit dhe personazhet e famshme të cilët janë të fryrë nga silikoni, me veshje krejt pa kuptim, më shumë rripa e veshje të grisura sesa fustane që të tregojnë feminitetin dhe bukurinë. Dhe nga ana tjeter miliona vajza të thjeshta që duan t'u ngjajnë këtyre pseudiovipave. Operacione plastike pa limit, shpenzime pa fund veshjesh firmato, me një etje të pandalshme për të ndjekur modën pa e kuptuar se ku shkojnë dhe çfarë kërkojnë. Edhe sikur të ndjekësh modën gjithë jetën tënde, askush s'do të japë ndonjë medalje për këtë. Edhe sikur të harxhosh miliona para për bukurinë, përsëri vjen një ditë që plakjen nuk e shmang dot. Ndjekja e bukurisë është një mundim pa fund, një rrugë pa krye, një garë pa destinacion, një betejë pa trofe.

Meghan Markle, një amerikane e fortë, një fëministe e paepur, por me një trup të brishtë dhe fisnikëri jo të lindur, por të fituar nga betejat e jetës së saj, arriti t'i fitojë zemrën princit më të adhuruar beqar të Anglisë. Ata lidhën kurorë fundjavën e shkuar, por Meghan arriti që ishte fokusi botëror i kësaj dasme. Jo për fustanin përallor, jo për gurët e diamantët në fustanin e saj, por për thjeshtësinë, për flokët e çrregullta, jo të ngrira, që dukeshin si të kapura me nxitim. Ajo arriti t'i japë një mesazh botës që e thjeshta është e bukur. Ajo arriti të tregojë se dhe një dasëm mbretërore mund të jetë super e thjeshtë. Mediat britanike shkruanin se dasma kushtoi miliona paund, por 90% e fondit u shpenzua për sigurinë e të ftuarve dhe familjes mbretërore. Kjo pasi detajet e dasmës janë një ceremoni fetare, dhe disa elemente tradicionale që kanë shoqëruar çdo dasmë në këtë mbretëri.

Në fakt për mediat angleze por dhe për gjithë botën nusja fillimisht ishte një zhgënjim. Prej muajsh mediat s'pushonin së foluri per dasmen e çiftit më të ri të mbretërisë. Turmat mezi prisnin: çfare fustani do veshë, si do duket, sa madheshtore do jetë festa. Por Meghan i sfidoi. Me një fustan të thjeshtë pa asnjë gur, xixë apo tyl, me një tualet supër të thjeshtë ajo sfidoi gjithë buklat, lulkat. fryrjet, petalet gjithcka të cmendur që dhe ne shqiptarët shpenzojmë nëpër dasma. Tek ne nusja shahet nëse nuk ka ndryshuar aspak ditën e dasmës. Dhe një emision që jepet në vendin tonë për dasmat "Lufta e Nuseve", jep mesazhin që kush shpenzon më shumë, bën dasmë më të bukur, duke i nxitur çiftet e reja drejt kredive, borxheve dhe streseve të kota, për të bërë dasma mbretërore, që duken qesharake në një vend të varfër si yni.

Mesazhi që vjen nga Meghan, është i qartë. Tek thjeshtësia qëndron bukuria. Ato miliona para që vajzat e reja harxhojnë për silikon dhe operacione plastike, t'i përdorin për edukim më të mirë dhe më pas për të bërë punë të mira për shoqërinë. Një palë xhinse dhe një këmishë në trup, por një e folur e bukur, një mendje e mençur e qëndrim plot dinjitet, i bën vajzat të duken më të bukura e më të adhurueshme. Uroj që nëse nuk duan ta ndjekin si vlerë, të paktën ta ndjekin si modë, të thjeshtën Meghan.

Falenderojmë Eva Kushova për shkrimin e publikuar në intv.al.

Meghan-Markle-Wedding-Dress.jpg

Article Logic
Execution time: 0.0031628608703613