INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION MED+ SPORTS VIDEOS
Pendese

Pendese

Publikuar më: 19:53 07-11-2018

Më vjen keq për gjithë vargjet e bukur që nuk i shkrova kurrë,
që i mendova, duke ecur, duke shkruar gjëra të tjera, duke parë sesi rrugën herët në mëngjes e mbushin njerëzit me frymë.
E zura kohën me gjëra të parëndësishme dhe i humba ato vargje…
Tani më kanë mbetur vetëm ca vargje të thatë,
të zëna ngushtë nën lëkurën e tyre,
sikur u mungon frymëmarrja,
sikur u mungon buzëqeshja.
Doja të shkruaja se ndonjëherë në gjumë diku pas mesnate mendoj se vdes,
Kaloj në botën tjetër sepse më merr më shumë malli për të vdekur e mi
dhe i harroj të gjallët!
Të gjitha vargjet e bukura që doja ti shkruaja, sidomos ato për dashurinë
më janë mbytur në një moçal ndjenjash, ku më kishin ngecur këmbët…
Ishte koha kur njerëzit më thoshin që vera është ilaçi më i mirë për të harruar,
por nuk kam dashur kurrë që të harroj asgjë,
më ka dhembur sesi harroj fytyrat, fjalët dhe gjestet.
Nga gjithë këto, më lëndon kur harroj të qeshurat,
sepse kam besuar gjithmonë që të kapesh pas një të qeshure,
të bën të dalësh në begun matanë edhe nëse nuk di not.
Ndonjëherë më vjen keq për gjithë vargjet e bukur që i pata në mëndje,
po kurrë nuk i shkrova, që i lashë ti shkruaj më vonë dhe pastaj i shtyva për të nesërmen, e pastaj nuk i gjeta më kurrë.
A kanë vargjet krahë?
M’a do zemra të besoj që janë shtrirë të përgjumura në ndonjë skutë duke më pritur, derisa rruga një ditë t’më kaloj andej…
Në ato vargje që nuk shkrova je edhe ti, por për dreq nuk më kujtohet nëse po dilje apo po mbyteshe në to…

Falenderojmë Irena Shabanin për shkrimin e botuar në intv.al

Article Logic
Execution time: 0.0034351348876953