INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION MED+ SPORTS VIDEOS
Rikthehet treni në Tiranë, kjo është linja e re që do të hapet [FOTO]

Rikthehet treni në Tiranë, kjo është linja e re që do të hapet [FOTO]

Publikuar më: 19:35 16-01-2018

Stacioni i trenit të Tiranës do të rivendoset në vendin e tij historik. Komisioni Parlamentar i Ekonomisë miratoi shtesën e grantit në masën prej 112 mijë eurosh me qëllim financimin e projektit konceptual për rehabilitimin e linjës hekurudhore në seksionin “Terminali i transportit publik Tiranë (PTT) deri te stacioni i trenit Tiranë”.

Drejtori i Politikave dhe Strategjive në Ministrinë e Infrastrukturës, Thimio Plaku, shpjegoi dhe ndryshimet e marrëveshjes me BERZH.
“U konstatua një rënie drastike e numrit të pasagjerëve të transportuar me hekurudhë, mbi 60%, sepse spostimi i transportit të udhëtarëve në stacionin e udhëtarëve, u gjykua që duhet të vendoset edhe njëherë tek Stacioni i Trenit, edhe si simbol i qytetit.
Këtu dua të theksoj se do të ketë vetëm një stacion pasagjerësh, nuk është një stacion edhe mallrash siç ka qenë dikur, por një stacion vetëm për transportin e pasagjerëve, ndërsa mallrat do të mbeten në Kashar”, tha Plaku.

Por edhe pse e votuan këtë marrëveshje, deputetët e opozitës kanë akuzuar Bashkinë e Tiranës dhe Qeverinë për mungesë transparence dhe vonesa ne realizimin e këtij projekti, raporton Scan.
“Unë sigurisht që e mbështes çdo marrëveshje grant me të cilat fiton fonde qeveria e Shqipërisë, por një shpërdorim i tillë fondesh dhe një paaftësi e tillë nga ana e bashkisë pas vitit 2015 dhe nga ana e qeverisë pas vitit 2013, kur kjo duhet të kishte përfunduar, sigurisht është i papranueshëm.

Opozita sigurisht që do ta mbështesë këtë marrëveshje, por kërkojmë nga qeveria, nga bashkia që të bëjnë transparencë për përdorimin e fondeve”, tha Tabaku.
Rehabilitimi i këtij seksioni është menduar të realizohet si shtesë e projektit për rehabilitimin e linjës hekurudhore Durrës – Tiranë (PTT) dhe ndërtimin e lidhjes së re hekurudhore me Aeroportin Ndërkombëtar të Tiranës.

Rehabilitimi i këtij seksioni do të rrisë efikasitetin dhe sigurinë e transportit hekurudhor të mallrave e të udhëtarëve ndërmjet Tiranës, Durrësit dhe Aeroportit të Rinasit dhe, në të njëjtën kohë, do të kontribuojë në në zhvillimin ekonomik të zonës ekonomike të rajonit të Durrësit, Tiranës dhe të gjithë vendit.
Sipas relacionit që shoqëron këtë marrëveshje, projekti është pjesë e parashikimeve buxhetore të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, konkretisht në programin “Transporti hekurudhor” për parashikimin e vlerës së TVSH-së, 22 400.00 euro, me kontribut buxhetor.

tren.jpg

Article Logic
Execution time: 0.0034410953521729