INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION MED+ SPORTS VIDEOS
Shkarkimi i Lulos flet Ministrja e Drejtësisë: Garanci për Vettingun

Shkarkimi i Lulos flet Ministrja e Drejtësisë: Garanci për Vettingun

Publikuar më: 17:36 23-03-2018

Ministrja e Drejtësisë Etilda Gjonaj e sheh si garanci që procesi i vettingut të shkojë përpara shkarkimin e anëtarit të Gjykatës Kushtetuese Fatos Lulo. Nëpërmjet një reagimi në faqen zyrtare në facebook Gjonaj thotë se rezultatet e ditë pas dite na vërtetojnë suksesin e padiskutueshëm të Reformës në Drejtësi. Ministrja nënvizon se Qeveria shqiptare do të vijojë të mbështesë me infrastrukturë dhe buxhetin e nevojshëm për funksionimin optimal të organeve të Vettingut si dhe organeve të reja të sistemit të drejtësisë.
Etilda Gjonaj:
“Sot, zbatimi i Reformës në Drejtësi shënoi një hap tjetër të rëndësishëm, të shumëpritur!
Vendimi i parë i Komisionit të Pavarur të Kualifikimit garanton ecurinë përpara të procesit të Vettingut si dhe rikthen besimin tek qytetarët për pastrimin e sistemit të drejtësisë. Qytetarët shqiptarë meritojnë një sistem drejtësie me gjyqtarë dhe prokurorë që besojnë në detyrën e rëndësishme që kanë marrë përsipër dhe mbrojnë vetëm interesin më të lartë të qytetarëve dhe shoqërisë dhe jo interesat e tyre personale financiare ose politike. Reforma në Drejtësi përkundër të gjitha përpjekjeve për ta dëmtuar apo penguar, po jep rezultatet e saj të njëpasnjëshme, duke garantuar jo vetëm suksesin e kësaj reforme, por edhe një tregues pozitiv për çeljen e negociatave me BE-në. Përgëzimet për fillimin e procesit vendimmarrës të Vettingut i shkojnë jo vetëm Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, por edhe kolegëve të Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit. Falënderojmë partnerët tanë ndërkombëtarë për kontributin e tyre të pakursyer për dizenjimin dhe vënien në jetë të Reformës në Drejtësi. Rezultatet e ditë pas dite na vërtetojnë suksesin e padiskutueshëm të Reformës në Drejtësi! Qeveria shqiptare do të vijojë të mbështesë me infrastrukturë dhe buxhetin e nevojshëm për funksionimin optimal të organeve të Vettingut si dhe organeve të reja të sistemit të drejtësisë”.

Article Logic
Execution time: 0.0040521621704102