INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION MED+ SPORTS VIDEOS

Shqiptarët banojnë në kushte më të këqija se europianët[VIDEO]

Publikuar më: 09:21 31-01-2019

Shqiptarët, nuk kanë kushte optimale në banesa. Në krahasim me europianët, renditemi ndër qytetarët e vendeve me përqindjen më të lartë për sa i përket pronësisë së shtëpive të tyre, por kemi probleme të mëdha në lidhje me kushtet e jetesës. Hapësirat nuk janë të mjaftueshëm, në tualete mungon uji i rrjedhshëm, shumë shtëpi janë me lagështirë dhe pa ngrohje.
Sipas Anketës së cilësisë së jetës të Komisionit Europian, 87% e shqiptarëve të pyeturve kanë pohuar se janë pronarë të shtëpive të tyre, ata vuajnë nga mungesa e hapësirave dhe e kushteve minimale si prania e një tualeti apo e dushit brenda në shtëpi. Më konkretisht rreth 17% e të anketuarve janë shprehur se kanë mungesë të tualetit apo dushit në shtëpi dhe 43% e të pyeturve janë shprehur se nuk kanë mjaftueshëm hapësirë në shtëpitë e tyre. Në vendet e rajonit të anketuarit që janë përgjigjur se kanë probleme me sipërfaqen në shtëpi variojnë nga 18-26% me një diferencë të konsiderueshme me Shqipërinë. Mesatarisht, të anketuarit, në Shqipëri janë shprehur se kanë vetëm 2 dhoma, numri më i ulët i vendeve të Bashkimit Europian dhe kandidateve për t’iu anëtarësuar.
Shqipëria ka rezultuar me përqindjen më të lartë të të pyeturve të cilët kanë pohuar se kanë lagështirë apo rrjedhje në shtëpi, që përbëjnë afro 40% të të anketuarve.
Rreth 12% e të pyeturve janë përgjigjur gjithashtu që kanë mungesë të tualetit me ujë të rrjedhshëm, ndërkohë që në Malin e Zi vetëm 3% e të pyeturve kanë pohuar se kanë mungesë të tij, 4% në Serbi dhe 7% në Maqedoni.
Shqiptarët kanë vështirësi edhe për të ngrohur apo për të mbajtur në temperatura optimale shtëpitë e tyre. Rreth 26% e të anketuarve në Shqipëri janë përgjigjur se nuk kanë mundësi që të ngrohin shtëpitë, kurse përqindja e të anketuarve në vendet e rajonit luhatet nga 6-16%.

Article Logic
Execution time: 0.0029940605163574