INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION TECH MED+ SPORTS VIDEOS
Si kalove sot në shkollë? - A DUHET T’UA BËJMË KËTË PYETJE FËMIJËVE?

Si kalove sot në shkollë? - A DUHET T’UA BËJMË KËTË PYETJE FËMIJËVE?

Publikuar më: 10:10 24-10-2017

Është ajo pyetja që ne ju drejtojmë gjithmonë fëmijëve sapo kthehen nga shkolla, jemi të etur për të ditur se si kaloi sot në shkollë, çfarë ka bërë... por që pothuajse gjithmonë nuk marrim përgjigje!

 
 

- Erdhe zemër? Si kalove sot në shkollë?

Mos më thoni që nuk e keni bërë këtë pyetje pikërisht në çastin kur djali apo vajza juaj ka hyrë në shtëpi. E keni bërë këtë pyetje me bindjen se është në të mirë të fëmijës. Por në realitet nuk e dini se ka shumë dukuri të tjera të shumëfishta nën të. 

Tani  më duket sikur jam brenda në shtëpinë tuaj: djali apo vajza juaj po hyn  në shtëpi me vrap, i kënaqur..... ufffaaa....mbaroi shkolla për sot, më pret një pjatë e ngrohtë me makarona ragu...

.....dhe ti?

Ti sapo dëgjon zhurmën je aty.... gati. Ti beson që fëmija duhet ta ndiejë që ti je aty duke u interesuar për të. Dhe të interesohesh për të do të thotë t'i bësh atë pyetjen e lodhshme

-Erdhe zemër? (pyetje, pauzë fare e shkurtër) Si kalove sot në shkollë?

......................

Mos më thoni që nuk merrni këtë përgjigje: 

- Miiiiiirë

E dije apo jo? Dhe në këtë pikë, duke qenë i pakënaqur, ti vazhdon:

-Çfarë bëtë sot?

-Asgjë. 

Me vete nis e turfullon: Asgjë? Po për çfarë dreqin po i çojmë në shkollë? Ok, tani  ndjen që po të pështillet diçka rreth fytit. Me vështirësi ia del ta ruash veten, sepse  nuk të volitet t'ia plasësh..... Atëherë kalon në pyetjen e tretë:

-Ke shumë detyra për nesër?

-Ca...

Dhe aty kupton që dita jote u shkatërrua sepse je nervoz, i zemëruar dhe ke dëshirën që të vraposh pas tënd biri, madje edhe me një shkop në dorë që ta detyrosh të flasë e pastaj ta ulësh nja 5 orë të mira të bëjë detyrat e gjithë javës mundësisht.

Por sigurisht që nuk e bën...

E përtej këtyre batutave, nën këto pyetje janë të fshehura dukuri shumë të rëndësishme. 

Gjëja e parë që ti duhet të kuptosh është kjo: Yt bir mbase ka vështirësi, mbase nuk e do shkollën aq sa ti kërkon, mbase ka probleme me të kuptuarit, ose në fund të fundit nuk ka dëshirë të flasë. Kur kthehet në shtëpi nga një ditë që mund të ketë qenë e ngarkuar dhe mbase aspak e bukur, gjëja e fundit për të cilën do të dojë të dëgjojë është shkolla. 

Është vërtetë e fundit. 

Mendo si për veten: pasi ke patur një ditë të lodhshme e të ngarkuar në punë, kthehesh në shtëpi e gjen aty dikë i cili të pyet:

-Si shkove sot në punë? Të ka shqetësuar shefi sot apo jo? Po rrogën e more?

 E gjëra të tilla...A do të të pëlqente? Besoj se jo. 

E njëjta gjë i ndodh edhe djalit (vajzës) tënd. Kur yt bir kthehet nga shkolla duhet trajtuar si person, po shiko se ç'ndodh. Kur ti e pyet si shkoi shkolla sot, po vendos nxënësin përballë personit. Dhe kjo e bën të mos ndihet fare mirë. 

Atëherë ç'duhet bërë për ta shmangur këtë pyetje? Bëji një pyetje tjetër. 

-Mbarove zemër? Si je shpirt?

 Mund të marrësh një përgjigje të tipit mirë apo keq, por gjithsesi është një pyetje që nuk i drejtohet nxënësit por personit. Dhe fëmijës tënd i pëlqen që ti t'i drejtohesh atij si person dhe jo si nxënës  e kaq. Nëse këtë gjë e bën në mënyrë konstante do të shohësh që do të jetë djali yt ai që do të t'i thotë vetë gjërat. 

Nuk do të jetë e lehtë sigurisht, sepse të vjen vetiu pas pyetjes së parë, e dyta...rrufe: 

-Si je shpirt? Si shkoi shkolla sot? 

Kjo është një pyetje e dyfishtë që rrezikon të mos e shmangësh.

 Shkon me makinë e merr fëmijën dhe pasi ai ulet ti:

- Si je shpirt? ...-Kujdes! Jo! Mos e bëj pyetjen tjetër. Kaq. Stop! Vazhdo jepi makinës dhe më mirë mos fol. 

Nëse kjo ndodh çdo ditë, atëherë do të shohësh që pas ca kohësh, yt bir do të kthehet nga ti dhe do të të pyesë:

-Mam (Babi), gjithçka në rregull? 

-Po...

-E sigurtë? 

-Po, po, pse? ç'ka ndodhur? 

-Nuk po më pyet se ç'thotë shkolla? 

Ah, bingo. Më në fund...O çfarë mrekullie, më në fund ai të pyeti.. Ti së brendshmi po fluturon, por në fakt atij i përgjigjesh ftohtë: 

-Jo, jo. 

Në këtë mënyrë po i jep një mesazh shumë të rëndësishëm: Ti vjen para shkollës.

Dhe cili është qëllimi që përmbushet? Fëmija nis të ketë besim te ti dhe me siguri do fillojë të flasë për vështirësitë që ai ndesh. Ama nëse ti e trysnon duke e shkelmuar me pyetjet: Ç'thotë shkolla, a keni mësime; si shkove sot në shkollë; çfarë tha mësuesja etj., nuk bën gjë tjetër veçse e largon. Është mekanizmi i mbrojtjes ai që e detyron të të thotë: 

-Miiiiirë; jo; mhhhh.....

Dhe nuk është kjo që ne si prindër duam. Ne dëshirojmë që fëmija të na besojë...dhe nëse e duam këtë, le ta pyesim sa më pak për shkollën dhe paradoksalisht ai vetë do të na tregojë më shumë për të. 

 

(Nga: Natasha Shuteriqi Poroçani, Portali Shkollor)

Article Logic
Execution time: 0.00403499603271
array(1) { ["section"]=> string(70) "si-kalove-sot-ne-shkolle-a-duhet-t-ua-bejme-kete-pyetje-femijeve-39873" }