INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION MED+ SPORTS VIDEOS
Vrasja nga lotët e fëmijës...

Vrasja nga lotët e fëmijës...

Publikuar më: 15:05 18-12-2017

Nga Ida Nurçe

Ajo u dynd drejt derës, ku po dëgjoheshin të bërtiturat, të cilat po shqetësonin gjithë pallatin dhe hyri brenda pa trokitur. Burri po i bërtiste gruas së tij. Ia kishte mbërthyer të dyja duart dhe po e tundte me sa fuqi kishte. Ajo e heshtur po qante. Fëmija 3-vjeçar ishte ulur në një cep të dhomës dhe me gishtin në gojë po derdhte lot me dënesë, sikur donte të thoshte “Babi mjaft e torturove mamin!”.

Pasi kjo panoramë i kaloi nëpër sy për 5 sekonda, vrapoi drejt zotërisë të cilin e tërhoqi me aq pak fuqi sa kishte. U fut mes tyre. I doli në mbrojtje zonjës, të cilën e vuri pas shpine dhe filloi të kritikonte atë burrë për atë çka po bënte. Ai u habit, kur e pa komshinë kaq papritur mes tyre. Nuk po u besonte syve dhe herë- herë hidhte sytë nga dera, duke ngritur dorën në një mënyrë si për të pyetur “Po ti nga hyre? A nuk ishte dera e mbyllur?”

Dhe ajo, pa pritur një fjalë, apo një pyetje, apo një ulërimë, u përgjigj: Po zotëri nga ajo derë hyra. Mllefi që ke dhe sasia e alkoolit që keni konsumuar, nuk ju kanë dhënë mundësinë të fiksoni nëse dera ishte e hapur apo e kyçur. E gjithë ajo që ju dini të bëni është të vini në këtë shtëpi të ngrohtë, të lini çunin në një anë dhe të filloni t’i gërthisni kësaj zonje, e cila copëtohet gjithë ditën duke u kujdesur për ju, shtëpinë tuaj, fëmijën tuaj, për familjen tuaj.

(Në atë moment zotëria kalon dorën e djathtë sipër flokëve dhe psherëtin thellë.)

Por e huaja vazhdon të flasë... Mooos, mos psherëti, sepse nuk është hera e parë që ndodh! Këto bërtitma i kam dëgjuar edhe herë të tjera, por nuk merrja guximin të hyja këtu, sepse kisha frikë nga ajo që mund të shikoja. Por sot nuk munda më të rrija indiferente, pasi një femër po vuante dhe unë nuk mund ta duroja dot këtë gjë te asnjë femër, sepse jam vetë një e tillë. Madje kam edhe unë një fëmijë, si ai aty në cep, që tani ka shashtisur duke e parë gjithë këtë film horror. A nuk mendon se ai fëmijë tani duhet të ishte duke lozur me ty e jo duke qarë?! A nuk mendon se lotët e atij fëmije duhet të ishin buzëqeshje?! Shikoje të lutem, sepse është krijesë e jotja! Lëre zonjën të merret me punën e saj dhe shiko at krijesë që po dridhet nga gjithë ato lotë që ka derdhur, ndërkohë që ti ishe i zënë duke zbrazur inatin e alkoolit tek jot shoqe!

Burri drejtohet nga i biri, i penduar deri në majën e flokëve, me lot nëpër sy, i zvarritur dhe ulet në gjunjë duke i puthur këmbët. Mbështet kokën te prehri i tij duke qarë me dënesë e duke i kërkuar falje. E shoqja i afrohet dhe i vë dorën në kurriz duke e lutur të pushonte, ndërkohë që lotët ia kishin mbuluar të gjithë fytyrën. Burri kthehet nga ajo dhe gjunjëzohet duke i puthur këmbët e duke i kërkuar falje me një zë që dukshëm po i dridhej nga e gjithë ajo dhimbje. Por e shoqja, një grua e fortë e kapi nga krahët dhe u mundua ta ngrinte në këmbë. Pasi u ngrit i fshiu lotët në sy dhe i tha “Ti dhe im bir jeni gjithçka për mua”. Ai nisi të qante sërish dhe e mbështolli në përqafimin e tij gjigand.

Ndërsa e huaja, po e shikonte këtë skenë, akoma e nervozuar, por shumë e emocionuar, që dikush i hapi syte nga e gjithë kjo zymtësi. E pa veten të tepërt dhe u largua në heshtje.

Ndaj, falni dashuri, bëni mirë, tregohuni njerëz, pendohuni sot, ndoshta vonë, por është më mirë se kurrë! Familja është gjëja më e rëndësishme që një njeri mund të ketë në jetë.

Falenderojmë Ida Nurçe për shkrimin e botuar në intv.al.

Article Logic
Execution time: 0.0030009746551514