Duket sikur femrat kanë vetinë të dallojnë në të qindtën e sekondës gabimet që bëjnë femrat e tjera, por kur vjen puna për të kritikuar veshjen apo modelin e tyre të flokëve, situata vështirësohet. Keni menduar ndonjëherë nëse meshkujt me të cilët dilni, arrijnë të dallojnë gabimet në veshjen tuaj? Sigurisht që po!
Pothuajse të gjithë mund të dallojnë nëse jeni përpjekur shumë për të arritur atë pamje ose jo.
Më poshtë ju listojmë 10 gjërat të cilat meshkujt i urrejnë në pamjen tuaj.
1. Modele ekstreme flokësh
Një femër me flokë voluminoz dhe plot aksesorë nëpër to, hyn në një night club. A mendoni ju se ajo do të tërheqë të gjithë vëmendjen e gjinisë mashkullore në party?! Po, por jo për mirë. Shumica e tyre preferojnë që e dashura e tyre të ketë flokë të gjatë, të drejtë dhe të butë. Pa shumë llak apo xhel nëpër flokë.
2. Fytyrë me shumë makeup
Makeup-i përdoret për të mbuluar defektet dhe parregullsitë e fytyrës. Gjithsesi, duhet të aplikohet në masën dhe mënyrën e duhur, në të kundërt ju do të dukeni sikur jeni lyer me baltë. Mos harroni, sa më thjeshtë aq më mirë.
3. Qerpikë fallco ose të lyer keq
I keni parasysh ato vajza që i lyejnë aq shumë qerpikët sa ato ngjiten me njëri tjetrin?! Ju nuk do të donit të dukeshit ashtu. Përdorni maskara (rimel) me cilësi të mirë dhe kujdesuni të pastroni mbetjet që mund të nxijnë qepallat tuaja. Meshkujt adhurojnë femrat me sy shprehës. Mos abuzoni me pikën tuaj të fortë.
4. Shumë shkëlqyes/ xixa
Nëse nuk jeni një grimier profesionist mos rrezikoni me xixat por përqëndrohuni më tepër në dritëhijet e thjeshta.
5. Dhëmbë të verdhë dhe erë e keqe e frymëmarrjes
Dhëmbë të verdhë dhe era e keqe e gojës nuk është tërheqëse për asnjë. Nëse keni probleme të tilla duhet të kuptoni se çdo gjë varet nga higjiena personale. Ose ndoshta duhet të lini veset si kafet e shpeshta, cigaret ose verën e kuqe.
6. Mungesë në estetikën e trupit
Thonj të pistë ose këmbë të pa depiluara. Higjiena e dobët personale nuk mund të mbulohet me makeup dhe rroba të shtrenjta.
7. Lëkurë e thatë ose shumë e yndyrshme
Po, meshkujt e dallojnë edhe këtë. Lëkurë e thembrave e thatë, fytyrë e yndyrshme ose e thatë janë disa nga arsyet pse ai mund të largohet nga ju. N.q.s i keni simptomat e lartpërmendura mos prisni që ai të tërhiqet nga buzët e lyera bukur.
8. “Pispillosja” në publik
Meshkujt nuk janë të interesuar të dinë hilet që përdorni për t’u dukur më e bukur. Makeup-in bëjeni në shtëpi dhe mos nxirrni asnjëherë çantën me tualete në ambiente publike.
9. Buzëkuq i errët
Buzëkuqi është gjithnjë një zgjidhje e mirë për të përsosur pamjen e buzëve tuaja. Por, shpesh herë ai mund të kthehet në armikun kryesor. Kur dilni për darkë, përdorni laps dhe buzëkuq në tone afër natyrales. Buzëkuqët e errët kanë tendencën të shuhen me kalimin e kohës ose të ngjiten në dhëmbë. Kjo nuk do të ishte pamja që ju do të dëshironit për takimin e parë, apo jo?
10. Një kile parfum
Ekzagjerimet dalin gjithnjë për keq. Mos harroni, sa më i shtrenjtë parfumi, aq më pak duhet të hidhni. Kështu që përpiquni të hidhni një pikë në vende si qafa dhe pas veshëve.