Me rastin e 10 vjetorit të Shqipërisë në NATO, në Tiranë mbahet sot një aktivitet i organizuar nga ministria e Mbrojtjes.
Gjatë fjalës së tij, kryeministri Edi Rama vlerësoi kontributin gjatë kësaj dekade të Shqipërisë në Aleancën e Atlantikut Verior. Po ashtu Rama theksoi se aleatët europianë duhet të kenë të njëjtin besim siç patën 10 vite më parë kur Shqipëria u anëtarësua në NATO dhe të njëjtin besim duhet ta kenë edhe për integrimin në BE.
"Gjej rastin sot për të falenderuar në emër të shqiptarëve aleatët tanë të mëdhenj SHBA dhe partnerët tanë europianë që 10 vite më parë vendosën të besojnë te Shqipëria. Dua sot t'u them partnerëve tanë se ne jemi dhe do të mbetemi të vendosur për t'ju përgjigjur siç duhet dhe kur duhet çdo thirrjeje të aleancës euroatlantike. Këto vite janë edhe dëshmia më e mirë se përse edhe procesi i integrimit në BE duhet të vazhdojë me të njëjtën mënyrë për të besuar tek Shqipëria si në NATO. Dielli i shqiptarëve lind gjithmonë nga Perëndimi", tha Rama.
Po ashtu kreu i qeverisë bëri thirrje edhe për anëtarësimin e Kosovës në NATO.
"Shqipëria beson shumë fort se Integrimi i Kosovës në NATO është një domosdoshmëri jo vetëm për Kosovën dhe Ballkanin por për të gjithë familjen Euroatlantike. 10 vjetori i anëtarësimit të Shqipërisë është një moment krenarie por edhe reflektimi për çfarë ka bërë dhe çfarë dihet të bëjë më tutje", u shpreh Rama gjatë fjalës së tij.