INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION MED+ SPORTS VIDEOS
11.6 ton drogë në Përmet, furtunë në policinë e Gjirokastrës dhe Përmetit

11.6 ton drogë në Përmet, furtunë në policinë e Gjirokastrës dhe Përmetit

Publikuar më: 14:25 09-04-2017

Ditën e djeshme është zhvilluar një operacion antidrogë i koduar "PAGRI" që çoi në sekuestrimin e 11650 kilogramë lëndë narkotike e dyshuar Cannabis Sativa. Sakaq, Policia e Shtetit përmes një deklarate për shtyp të zëdhënësit Genti Mullai dha detaje nga ky operacion duke bërë me dije edhe “furtunën” e shkarkimeve të zyrtarëve të policisë për një sërë shkeljesh.

DEKLARARATA E PLOTË/ SHKARKIMET, MASAT DISIPLINORE dhe EMRAT

Në datë 07.04.2017,  Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat në Ministrinë e Punëve të Brendshme pas informacionit të administruar se në një ish-depo të Rezervave të Shtetit mbi fshatin Pagri të rrethit Përmet ishin grumbulluar sasi të konsiderueshme  lëndë narkotike, bashkërendoi punën me strukturat e Drejtorisë së Policisë së Shtetit për verifikimin dhe goditjen e kësaj veprimtarie kriminale.

Në zbatim të planit të përbashkët operacional të hartuar nga strukturat e Policisë së Shtetit dhe SHÇBA në datën 08.04.2017 u realizua me sukses operacioni i koduar "Pagri 2017". Si rezultat i këtij operacioni rezultoi se në njërën nga tre depot u gjet e ambalazhuar në thasë plasmasi një sasi prej 11650 kilogramë lëndë narkotike Cannabis Sativa. Pas konstatimit menjëherë është vënë në dijeni dhe njoftuar  Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Përmet, mbi lëndën narkotike të gjetur.

Në këtë kuadër u kryen një sërë veprimesh proceduriale dhe hetimore, si kqyrja e vendit të ngjarjes dhe sekuestrimi i lëndës narkontike të konstatuar, verifikimi i poseduesve dhe gjithë veprimeve të tjera të kundraligjshme.

Në përfundim të veprimeve të para të kryera në vendngjarje u bë ndalimi i shtetasve:

• Rustem Muçelli, 51 vjeç,  banues në fshatin Pagri, Përmet

• Eqerem Ali, 60 vjeç, banues në fshatin Pagri, Përmet                           

Gjithashtu u bë shpallja në kërkim e shtetasit:

• Ismail Saliu, 61 vjeç,  banues në fshatin Pagri - Përmet.

Ndalimi i këtyre shtetasve si dhe shpallja në kërkim e shtetasit tjetër u bë për arsye se ata, nga provat e grumbulluara rezulton se i kishin në përdorim depot për të magazinuar ushqim për bagëtitë e tyre.

Gjithashtu në vijim të veprimeve është bërë ndalimi edhe i kryeplakut të fshatit Pagri, shtetasi: 

• Koço Zaimaj, 58 vjeç, kryeplak i fshatit Pagri.

 Ndalimi këtij shtetasi u bë pasi ky shtetas është me detyrë kryetar i fshatit Pagri dhe nuk ka kryer detyrat funksionale  në lidhje me ngjarjen  e mësipërme.

Materialet në ngarkim të këtyre shtetasve janë dërguar në Prokurori për veprën penale “Prodhim dhe shitje të narkotikeve”, e kryer në bashkëpunim të parashikuar nga neni 283/2  i Kodit Penal.  Në ngarkim të shtetasit Koço Zaimaj, për veprat penale “Shpërdorimi i Detyrës” dhe “Moskallëzimi i krimit” të parashikuara nga neni 248 dhe 300  i Kodit Penal. Njëkohësisht me veprimet proceduriale, në lidhje me rastin e konstatuar pas zbulimit të sasisë me bimë narkotike, me urdhër të Drejtorit të Policisë së Shtetit, Drejtoria e Standarteve Profesionale ka filluar procedimin disiplinor për punonjësit e Policisë në strukturat vendore të Drejtorisë së Policisë Gjirokastër si dhe të  Komisariatit të Policisë Përmet.

Sipas detyrave të përcaktuara në Planin e Veprimit, duhej ushtruar kontroll në sera diellore, tunele të braktisura, ish-magazina të Rezervave shtetërore dhe çdo ambient tjetër të mundshëm për përdorim nga grupet kriminale.

Pavarësisht hartimit të planeve të veprimit si dhe ngritjes së grupeve të kontrollit, nga strukturat e Komisariatit të Policisë Përmet dhe Drejtorisë Vendore të Policisë Gjirokastër nuk janë ushtruar kontrolle në të gjitha ambientet e përcaktuara, përfshirë edhe magazinat në fshatin Pagri.

Nga ana e strukturave të Komisariatit të Policisë Përmet, si struktura përgjegjëse për kontrollin e territorit nuk është marrë asnjë informacion policor për kultivim, përpunim, grumbullim të lëndëve narkotike për vitin 2017 në territorin e Bashkisë Përmet.

Nga analiza e bërë në Drejtorinë e Policisë Shtetit mbi këtë çeshtje, u konstatuan një sërë shkeljesh të karakterit administrativ dhe disiplinor nga punonjës të strukturave të policisë në Komisariatin e Policisë Përmet dhe Drejtorinë e Policisë Vendore Gjirokastër, për të cilët në bazë  për zbatim të Ligjit për 'Policinë e Shtetit' si dhe Rregulloren e Policisë, me Urdhër të Drejtorit të Policisë së Shtetit u morën masat disiplinore:

• Inspektor Pëllumb Qamo, me detyrë Ndihmës specialist SPZ, në Njësinë Administrative Piskovë, Bashkia Përmet, për shkelje të rënda të Rregullores së Policisë së Shtetit - u përjashtua nga Policia e Shtetit

• Komisar Kastriot Ndoj, me detyrë Shef Seksioni për Krimet në Komisariatin e Policisë Përmet, për shkelje të rënda të Rregullores së Policisë së Shtetit - u shkarkua nga detyra.

• Kryekomisar Ermir Gërxhani, me detyrë Shef i Komisariatit të Policisë Përmet, për shkelje të rënda të Rregullores së Policisë së Shtetit - u shkarkua nga detyra.

• Komisar Asim Beqiraj, me detyrë Shef i Seksionit të Sigurisë Publike, në Komisariatin e Policisë Përmet, për shkelje të Rregullores së Policisë së Shtetit - filloi procedimi disiplinor.

• Komisar Gentjan Shehu, me detyrë Shef i Seksionit për Hetimin e Narkotikëve, në DVP Gjirokastër, për shkelje të Rregullores së Policisë së Shtetit - filloi procedimi disiplinor.

• Kryekomisar Agim Fejzo, me detyrë Shef i Sektorit për Hetimin e Trafiqeve dhe Narkotikët, në DVP Gjirokastër, për shkelje të Rregullores së Policisë së Shtetit - filloi procedimi disiplinor.

• Drejtues Fatmir Hoxha, me detyrë Zëvendësdrejtor për Hetimin e Krimeve dhe Sigurinë Publike, në DVP Gjirokastër, për shkelje të Rregullores së Policisë së Shtetit - filloi procedimi disiplinor.

• Drejtues i Parë Aranit Arapi, me detyrë Drejtor në Drejtorinë Vendore të Policisë Gjirokastër, për shkelje të Rregullores së Policisë së Shtetit - filloi procedimi disiplinor. 

Policia e Shtetit, në bashkëpunim me Prokurorinë e Përmetit vijon hetimin për zbardhjen e plotë të veprimtarisë kriminale dhe subjkteve të saj, të grumbullimit, mbajtjes dhe trafikimin e lëndës narkotike zbuluar dhe sekuestruar në datën 8 prill 2017 në Pagri të Përmetit.

Article Logic
Execution time: 0.0037801265716553