INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION MED+ SPORTS VIDEOS
13 arsyet se pse duhet të lexojmë “13 Reasons Why”

13 arsyet se pse duhet të lexojmë “13 Reasons Why”

Publikuar më: 18:04 29-03-2018

Nga Irini Meçe

Vetëvrasja, historia e Hannah dhe Kleit aq e trishtueshme dhe e mrekullueshme njëkohësisht është historia që na foli të gjithëve dhe që na bëri që të qëndrojmë të mbërthyer pas ekranit për ta parë. E kam fjalën për “13 Reasons Why” që në shqip përkthehet “13 Arsyet Pse” . Klei Xhenseni kthehet nga shkolla në shtëpi dhe gjen një pako të çuditshme me emrin e tij mbi të. Brenda zbulon disa kaseta të regjistruara nga Hana Bejkeri, shoqja e shkollës dhe dashuria e tij e parë, e cila ka vrarë veten dy javë më parë. Zëri i Hanës shpjegon se ka trembëdhjetë arsye pse i dha fund jetës. Klei është një prej tyre. Duhet të dëgjojë që ta kuptojë arsyen.Gjatë gjithë natës, Klei dëgjon dhe ajo që zbulon i ndryshon jetën... Përgjithmonë.

Sezoni i parë i serialit ishte një sukses i padiskutueshëm dhe sigurisht që nuk kishte asnjë dyshim që do të kishte edhe një sezon tjetër të dytë që fansat mezi po e presin. Në maj të vitit të kaluar u njoftua që do të ketë një sezon të dytë dhe premiera do të jetë në 2018-ën. Netfix akoma nuk ka njoftuar një datë fikse se kur do të mund të shohim sezonin e dytë që mendohet të ketë 13 episode, por është më afër se kurrë.

Një film që u bë më shumë i njohur nga seriali se sa nga vetë libri po me të njëjtin emër. “13 Aryset Pse” ka lindur në një mënyrë shumë rastësore për autorin Jay Asher të cilit i kanë mbërritur me mjëra e-maile nga fëmijë që kishin menduar vetëvrasjen. Nisur nga këto ai u ul dhe shkroi këtë novelë pa menduar që do të kishte kaq sukses.

Mbase disa prej nesh kanë parë vetëm serialin dhe nuk kanë lexuar librin, por më lini t’ju them që historia në libër është një emocion më i madh se sa kur ne e shohim nëpërmjet një ekrani. Leximi është shumë personal, i copëzuar, kërkues vëmendjeje dhe konsumues kohe. Ndërkohë që ne po bëhemi gati të shohim sezonin e dytë të “13 Aryset Pse”, për ju që nuk keni lexuar librin, le të nxitojmë të rrëmbejmë mënjeherë atë. Më poshtë po ju listoj pikërisht 13 arsyet se pse duhet lexuar novela ’13 aryset pse’, por edhe për të zbuluar disa nga arsyet se pse ky libër është aq i paharrueshëm.

1. Libri zgjon vetëdijen për ngacmimin seksual, sulmet seksuale, vetëvrasjen dhe çështje të tjera të shëndetit mendor

Ekziston vetëm një vijë e hollë për një adoleshent nga kryerja e vetëvrasjes. Adoleshenca jo më kot konsiderohet edhe si periudha më e komplikuar për një person i cili fillon të njohë veten dhe nga mungesa e vetëbesimit të krahasojë jetën e tij me të tjerët. Ata janë më të ekspozuar ndaj ngacmimeve dhe sulmeve seksuale apo dhe depresionit apo ankthit.

2. Të gjithë ne e kemi një histori

Personazhet si Zach, Marcus dhe të tjerë që luajnë me ndjenjat dhe emocionet e Hannah nuk e kuptuan kurrë se çfarë po ndodhte në jetën e saj dhe sa keq ajo ishte. Të gjithë ne e kemi ndjerë këtë se në një periudhë nuk dinim se çfarë ndodhte me jetën tonë.

3. Nuk ishte faji i Hannah, kurrë nuk ka qenë faji i saj

Mendimet, ndjenjat dhe emocionet e Hannah kanë rëndësi dhe ajo kishte nevojë që thjesht të dëgjohej dhe të mosparagjykohej. Perspektiva ndryshe e gjithkujt e bën akoma më interesante botën. Mendoj se nuk do ta kisha kuptuar këtë derisa lexova këtë libër dhe rrëfimin e Hannah.

4. Na detyron që të përballemi me realitete që nuk ishim të vetëdijshëm më përpara

E vërteta është që po ekziston vetëvrasja. Por nuk arrijmë të kuptojmë kurrë se sa shumë ne ndikojmë në jetën e tjetrit. Duke lexuar këtë libër do të kuptosh se ti nuk e di kurrë se çpo ndodh në jetën e shokut apo shoqes tënde dhe për këtë arsye duhet të jemi më të kujdesshëm se çfarë do të themi dhe do të bëjmë.

5. Të qëndrosh i heshtur nuk i zgjidh problemet

Ajo se çfarë ne na tregon Hannah ishte se gjithmonë kishte tendencën për t’u larguar nga problemet dhe si zgjedhje gjeti vetëvrasjen. Por kjo kurrë nuk është rruga e duhur. Duke ndjekur historinë e Hannah kuptojmë se sa më shumë t’i mbash të fshehta dhe të mos i ndash problemet që kemi aq më shumë gjasa ka që të na bëjnë dëm sesa dobi.

6. Të gjithë ne nuk jemi perfektë

Edhe pse Hannah ishte viktima e gjithë kësaj historie, ajo kishte të metat e saj, si të gjithë ne dhe nuk ka asgjë të keqe. Të gjitha këto të meta që i pamë tek persoanzhet e historisë, thjesht na treguan se si të sillemi me tjerin pa i lënduar.

7. Hannah përdor një metodë shumë unike për të përcjellë emocionet e saj

Audio kaseta dërguar Kleit, tregon historinë e Hannah e cila tingëllon shumë e vërtetë dhe bindëse. Ne shohim dhimbjen e saj, por edhe shpresat që ajo kishte në të njëjtën kohë. Ajo na tregon rrjedhën e ngjarjeve që e çuan të merrte këtë vendim. Nëpërmjet rrëfimit të Hannah ne i shohim gjërat nëpërmjet perspektivës së saj dhe ka kaq shumë emocion. Autori Jay Asher ka arritur që të trajtojë një problemtaikë shumë aktuale siç është ankthi dhe bulizmi tek të rinjtë.

8. Tranzirat emocionale të Hannah dhe Kleit

Klei ndihej shumë i paqartë, ai nuk e dinte se çfarë të bëntë me vdekjen e Hannah dhe ndihej keq pasi mendonte se duhet të kishte bërë diçka për të parandaluar gjithë këtë. Kjo gjë i rëndonte në ndërgjegjien e tij. Atë vazhdon ta torturojë pyetja ‘po sikur…’. Si lexues ashtu edhe si njerëz ne kemi qenë në shumë raste të tilla që i kemi bërë vetes të njëjtën pyetje.

9.   Libri na thotë një mesazh të qartë: Vetëvrasja dhe pasojat e tij janë të përhershme.

Vetëvrasje konsiderohet edhe si një veprim egoist, pasi dikush që e mendon këtë, nuk mendon për njerëzit që e rrethojnë. Ka plot raste që vetëvrasja e një personi të dashur ka shkaktuar një traumë gati të pandreqshme dhe pasojat e saj zgjasin sa një jetë.

10. Na mëson se çdo veprim apo dhe mosveprim ka pasoja

Është shumë e thjeshtë ta thuash se veprimet tona kanë pasoja, por Jay Asher ka bërë një punë të shkëlqyer duke na i treguar kaq qartë këtë. Duhet ta lexoni me patjetër për ta kuptuar me të vërtetë se sa fuqi kanë fjalët dhe veprimet tona. Mosveprimi është po aq i fuqishëm gjithashtu. Ndonjëherë ne na jepet shansi që të mund t’i ndryshojmë gjërat për mirë, por mbase na mungon guximi. Hannah dhe Klei në këtë libër na treguan se sa i dëmshëm ishte mosveprimi i tyre. Të gjithë e vranë Hannah Baker, edhe ata që nuk bënë asgjë! Mosveprimet tona komunikojnë më shumë seç duken.

11. Aryset e Hannah-s

Në fillim arsyet dhe gjërat e saj i dukeshin parëndësi. Gjithçka nisi nga puthja e parë e saj që u kthye në një thashethem të madh. Por asyet e saj rriteshin çdo ditë. Privatësia e saj personale u pushtua, një shok klase u vra për shkak se ajo nuk fliste, një tjetër u përdhunua para saj dhe ajo vetë u sulmua seksualisht. Hannah na tregoi se sa shumë rëndësi kanë gjërat tona dhe se ato duhen treguar, sidomos arsyet.

12. Hannah na tregoi se çdokush ka fuqinë e ndryshimit

Edhe Hannah kishte fuqinë për të bërë një ndryshim dhe ajo e bëri nëpërmjet kasetave të saj që lidheshin me arsyet e vetëvrasjes. Ajo bëri një ndryshim në zgjimin e vetëdijes për këtë fenomem duke i dhënë Kleit guximin për të shkuar tek shokët e tij të klasës që t’i bënte të kuptonin se sa shumë ndikojnë veprimet e tyre dhe pasojat që sjellin ato. Po. Ne të gjithë kemi fuqinë për të ndryshuar gjërat!

13. Marrja e mesazhit se edhe detajet e vogla kanë rëndësi

Çdo gjë që themi apo bëjmë ka ndikim tek tjetri. Edhe veprimet më të parëndësishme që ne mund t’i quajmë, ndryshojnë perspektivën e dikujt tjetër. Ne e kemi më të lehtë që të flasim dhe të mos mendojmë shumë rreth çfarë shprehim. Këtë gjë na e ‘përplas’ kaq bukur libri.

Në fund të këtij libri ju do të jeni më të vetëdijshëm për gjërat që do të bëni çdo ditë, për mënyrën se si do të flisni me njerëzit. Ky libër kishte një ndikim të madh në një numër të konsiderueshëm njerëzish, duke sjellë dhe trajtuar çështje të rëndësishme që duhet të adresohen. Madje një stuim së fundmi tregoi se ky libër dhe serial ndihmoi shumë të rinj që të raportonin abuzimet seksuale. Këto ishin disa nga arsyet që pse ky libër ishte aq i fuqishëm për mua dhe shpresoj që secili të marrë kohë për ta lexuar dhe kuptuar domethënien e tij. Vërtet të thyen zemrën por njëherësh, të jep edhe plot shpresë.

Article Logic
Execution time: 0.0040960311889648