14 raste të reja me COVID-19, Fico: Situata e kontrolluar, numri i të shëruarve më i lartë
Gjatë 24 orëve të fundi janë identifikuar 14 raste të reja me COVID-19 në vendin tonë.
Në komunikimin e përditshëm me publikun, dr. Albana Fico nga Instituti i Shëndetit Publik bëri me dije se gjatë 24 orëve të fundit janë testuar 267 persona të dyshuar me COVID-19.
“Nga rezultatet e testimeve janë konfirmuar 14 raste pozitive me COVID19, nga të cilat 7 raste janë në Tiranë, 5 raste në Krujë dhe 2 raste në Shkodër.
Deri në këto momente janë testuar 7758 raste të dyshuara dhe prej tyre janë të konfirmuar pozitivë me COVID-19, 750 raste. Mosha mesatare e rasteve të konfirmuara është 46.8 vjeç.
Mëngjesin e sotëm ka ndërruar jetë një 52-vjeçar nga Kruja me iniciale S. B i cili ka qëndruar për 8 ditë në reanimacion i intubuar në spitalin infektiv. Ministria e Shëndetësisë i shpreh ngushëllimet familjarëve. Shkon në 30 numri i qytetarëve që e kanë humbur betejën me këtë sëmundje, me gjithë përpjekjet e stafit mjekësor.
Gjatë 24 orëve të fundit, 9 pacientë të tjerë i janë shtuar listës së të shëruarve, duke e çuar totalin e të shëruarve nga COVID-19 në 431.
Aktualisht në vendin tonë, 289 persona janë aktivë me COVID19 dhe siç shihet numri i të shëruarve është më i lartë. Kjo tendencë tashmë vazhdon të jetë e qëndrueshme.
Ju informojmë se, në shërbimin infektiv aktualisht janë 27 të shtruar. 3 pacientë janë në terapi intensive.
Në spitalin COVID 2 “Shefqet Ndroqi”, janë 5 pacientë të shtruar. 2 pacientë janë në terapi intensive në gjendje më të rënduar.
Në dy spitalet COVID aktualisht po marrin shërbim 32 pacientë”, tha dr. Fico. Harta e të prekurve nga COVID-19 zgjerohet në Tiranë, Krujë dhe Shkodër.
“Pavarësisht luhatjeve në numra ditorë situata vazhdon të jetë e kontrolluar.
Tregues për këtë janë numri i qëndrueshëm i shtrimeve në spitale dhe numri i ulët i qytetarëve që kanë pasur nevojë për frymëmarrje të drejtuar.
Që kjo situatë të vazhdojë të jetë e kontrolluar dhe në kushtet e lehtësimit të disa masave, Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale i bën thirrje të gjithë qytetarëve që të vazhdojnë të respektojnë masat e vendosura, të respektohet distancimi fizik dhe ruajtja e higjienës personale”, këshillon ajo.