Policia ka arrestuar sot dy persona dhe një tjetër ka shpallur në kërkim pasi në këmbim të shumave të mëdha të parave bënin kalim të paligjshëm të qytetarëve që donin të emigronin në Britaninë e Madhe. Të ndaluarit janë nga Kurbini dhe Mati dhe skema e tyre funksiononte duke pajisur personat me dokumente false italiane e më pas duke i shoqëruar ata në aeroportin e Lutton kundrejt një pagese prej 15 mijë paund.
Policia njoftoi se, shtetasit e arrestuar janë V. L., 52 vjeç, lindur dhe banues në Mamurras, Kurbin dhe H. N., 19 vjeç, lindur dhe banues në Burrel dhe Mat.
Arrestimi i tyre u bë pasi nga hetimet e kryera ka rezultuar se shtetasi V. L., rezident në Itali, pasi kishte siguruar paraprakisht dokumente të falsifikuara italiane me gjeneralitetet e një shtetasi tjetër, ka ardhur në Shqipëri dhe ka pajisur me këto dokumente shtetasin H. N.
Pas pasjisjes me këto dokumente, sipas policisë, shtetasi V. L. do ta shoqëronte shtetasin H. N. nga aeroporti i Rinasit, transit drejt aeroportit të Venecias me destinacion final në aeroportin e Luttonit, në Mbretërinë e Bashkuar, kundrejt përfitimit 15 000 paund britanikë.
Të arrestuarit do të gjykohen për për veprat penale “Ndihma për kalim të paligjshem të kufirit”, “Falsifikimi i letërnjoftimeve, pasaportave ose i vizave” dhe “Falsifikim i dokumenteve”.