Në të gjithë vendin duket se është mbjellë lëndë narkotike e për këtë arësye Policia e Shtetit po vijon operacionin antikanabis.
Vetëm këtë të premte janë asgjesuar 17900 rrënjë kanabis. Nga aksioni i fundit që po zhvillohet nga policia në Fushë-Arrëz në fshatin Srriqe janë asgjësuar 8900 rrënjë cannabis sattiva. Mësohet se policia është instaluar në këtë zonë që prej ditës së mërkurë. Po kështu mësohet se janë identifikuar parcela për të mbjellë 15 mijë rrënjë, ndërsa kultivuesit janë vënë në ndjekje nga policia.
Edhe në Devoll, policia e Shtetit ka ndërmarrë aksion antikanabis. Mësohet se policia ka zbuluar dhe asgjësuar me anë të djegies, 9000 rrënjë bimë narkotike Cannabis Sattiva.
Policia bëri publike këto të dhëna për aksionin e saj në Devoll:
1200 bimë të mbjella në tokë dhe 7800 bimë të mbjella në gota plastike, këto të fundit të kultivuara në 4 sera. Gjatë kontrollit të kësaj zone, në një vend të përshtatur, gjithashtu u gjetën:
2 (dy) armë zjarri tip automatik model 56,
4 krëhëra, si edhe 16 fishekë luftarakë kalibri 7.62 mm.
Ndërkohë policia po punon për identifikimin dhe kapjen e autorëve.