INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION MED+ SPORTS VIDEOS

"24 Orë nga dita e një Mami të Papunë!"

Publikuar më: 21:31 12-02-2017

Nga Jona Kuke!

Unë  jetoj me bashkëshortin dhe dy fëmijët e mi, djalin 6 dhe vajzën 4 vjeç. Me ne jeton edhe kunata ime,  motra e vogël e bashkëshortit tim.  Unë nuk mendoj se jam kunatë e përsosur, por besoj se duke ditur të respektoj lirinë e tjetrit dhe në të njëjtën kohë duke e marrë  këtë liri mbrapsht po njësoj brenda një hapsirë të përbashkët, them se ia kemi dalë mbanë të jëtojmë në harmoni. Madje  kur ajo (kunata) mungon në shtëpi, ndihet shumë  mungesa e saj sidomos tek fëmijët. Aq sa kur e mendoj që këtë verë ajo do iki përgjithmonë  se ç'më kap një ngërç i çuditshëm boshllëku.

Kot nuk i them "KuDrita" unë asaj!

Dita ime si mam i dy fëmijëve nis zhurmshëm e rrëmujshëm me pregatitjen e tyre për kopësht ku gati-gati në vrap e sipër, ndonjëherë harroj dhe vesh prapë të njëjtën bluzë që kisha veshur një ditë më  parë. E vogla imë ma vë re gjithmonë  dhe në dalje e sipër më  thotë : O mam, prapë këtë  bluzën?

Oh jo as që  bëhet fjalë të kthehem...! “ Ikim zemër'' - i them. ''Ja kam xhupin nuk duket!''- justifikohem unë....” Por ndërsa jam duke mbyllur derën, i dëgjoj zërin e hollë dhe të ëmbël që sado përpiqet të jetë qortues bëhet edhe më mjaltë kur thotë : “Po edhe xhupi i njëjtë  është ..!”

Më vjen ta gëlltis me të puthura por as për këtë s’kam kohë ndaj vetëm qesh dhe i them se e dua shumë.

Ah fëmijët e sotëm!!! S'di pse kur krahasoj veten me fëmijët e mij, këta më duken më të mençur. Mëmësia e justifikon këtë konkluzion patjetër. Edhe mamit tim me siguri kështu do i jem dukur 40 vite më parë!!!

Kopshti është afër shtëpisë ndaj ecim për të shkuar deri aty, nuk kemi nevojë për makinë. Teksa nxitojmë përmes një rruge plot gropa, ujë e baltë me ndonjë copë asfalt të mbetur aty-këtu që  nga fushata elektorale e fundit (të mendosh që jetojmë  në zemër të  kryeqytetit).  Pak më tutje, ekskavatorët po shqyejnë  pjesën e mbetur, mesa duket po bëjnë gati një shtrim të ri. Oh po me siguri,  kemi zgjedhje këtë verë, shyqyr!!!

- Kujdes, kujdes bir i mamit - i them djalit. Baltaaaa.... gropaaa... makina…

- Hajde këtu bir, të  lutem më jep dorën.

Të dy vocërrakët nxitojnë drejt oazit të tyre të bukur për të kaluar disa orë. Jemi në fazën e  pyetjeve  dhe pse-ve  dhe sado që pyesin për gjithçka, një pyetje nuk harrojnë kurrë të ma bëjnë  përditë  sapo marrim kthesën e pallatit dhe shohim përballë kopështin, aty ku dielli më në fund pas një ecje nën hijen e pallateve, i puth gjithkund.

Mami dielli kaq fort shkëlqente edhe kur lindëm ne? Dhe mbajnë syçkat me dorë nga rrezet e diellit që u bien pingul.

- Jo - u them, më shumë se kaq!

- Pse? – më pyesin

- Sepse lindët ju – u them dhe më qesh shpirti.

Ndihem plot.

Puthemi dhe ndahemi pasi u kam dorëzuar gjënë time më të shtrenjtë edukatoreve, të cilat vërtet i kam shumë të mira. Ah se mos harroj edhe me premtimin djalit se do e marr shpejt...!

Gjithçka si për çudi qetësohet e merr tjetër pamje sapo mbyll pas vetes derën e kopështit.

Ja ku jam tani vetem, unë me qytetin tim, që e njoh me rrënjë e me aromë  stinësh,  qe e dua në kujtime  të  paçmuara, që e urreva deri në braktisje disa herë dhe që po aq herë ju riktheva me më shumë dashuri.

Këtu nuk jetohet!  Këtu nuk shtyhet!  Këtu është bërë të ikësh natën! Ky është bërë refreni i kohës…

Nejse, më duhet një kafe pikë së pari. Vendi është përgjithësisht i njëjti, ndërsa personat ndryshojnë  në varësi të angazhimeve  të ditës së gjithësecilit.

Tek e fundit e papuna jam unë…

Kafja e bën efektin sapo i ndjej aromën por kur rrufis të parën gllënkë idetë qartësohen dhe  gjithçka merr qëndrim tjetër. E çfarë pastaj së kam të njëjtën bluzë, sot jam me Bujanën, dje isha me Albanën, s’ka problem pra, përpiqem akoma t'i mbush mendjen vetes.

Vallë ç'do thoshte e vogla ime tani?!

E teksa bëj këtë dialog të heshtur, syri më  kap tek cepi i pasqyrës në të majtë veten që qesh, por buzagazi nuk zgjat shumë pasi shoh një tufë floku që pabindshëm i ka shpëtuar dhëmbëve të kapëses dhe hazdiset si antenë grupi e kohës së Xhaxhit.

E rregulloj me stil e vazhdoj të rrufis kafenë teksa shoh Bujanën akoma beqare që po vjen shend e verë, sapo ka mbaruar yoga-n me siguri. Takat jo më pak se 10 cm që kërcasin parketit të lokalit, flokët e krehur e të sapo lyer shkëlqejnë si mëndafsh, pellushi që i rrethon qafën si për ti përkëdhelur dekoltenë e lehtë ku bizhutë nuk mungojnë asnjëherë e natyrisht veshja është e denjë  për pozicionin që ajo mban si përfaqësuese e një kompanie prestigjioze distribucioni kozmetikësh me brende globalë. Vjen erë të mirë e teksa puthemi aty më bie ndërmend se as parfum nuk kam vënë ... Eh ok Bujana më njeh mirë, s’ka problem!

Biseda rrjedh natyrshëm mes dilemave, halleve, përditshmërisë, thashethemeve, politikës udhëtimeve e plot të tjera.

- Hë mi, ndonjë të re? - e  pyes.

- Hiç asgjë - thotë.

- Sa inat plaçin ata sy që  nuk shohin! - i them duke qeshur.

Flasim pastaj për gocat; Bela po na ikën në  Gjermani do mbetemi 3 tani, unë, Bujana dhe Manjola nga grupi i famshëm i Gocave “Cool” të kohës, siç na etiketonin e njihnin të gjithë. Kur ditë-nata na dukej 48 orëshe dhe prapë nuk na mjaftonte, kur dypunësimi që bënim në rastin më të keq, prapë nuk mjaftonte për të përmbushur egon profesionale e për të testuar veten dhe aftësitë tona. Mos flas pastaj për udhëtimet nëpër botë të cilat ishin shqetësimi i fundjavës.

Po jeta e natës?!

E si mund të mungonim aty….

Ufff çfarë netësh na zbardhnin në çast!

Shoqëria e "Living të vjetër" tashmë  me shumicën e tyre takohem nëpër ditëlindje kalamajsh....

Historia ime  me Mondin (bashkëshortin) më  vjen furishëm ndër kujtime….

Sa shumë  dashuri,  sa lot, sa stres, sa keqkuptime, sa ditë të  mrekullueshme, çfarë udhëtimesh të paharrueshme, sa "ndarje " e  ribashkime  magjike….!

Në fund e mora se plasa !

Tani është vetëm i imi përgjithmonë,  më dha dhuratën më të bukur në  jetë, dy fëmijë si drita. Pasuria ime e vetme!

Me Bujanën koha fluturon, pa kuptuar kanë kaluar 2 orë , ndahemi, Bujana duhet të  iki  e unë  gjithashtu.  Ajo drejt një takimi më biznesmenë  për çështje pune, unë për një takim me fshatarët tek tregu i fruta-perimeve.

Teksa eci në po të njëjtën rrugë të baltosur e shqyer prej pushtetesh që ndërrohen, kujtmet më  rrëmbejnë e më çojnë tek ato rrugë që bëhen një herë për të mos u prishur kurrë. Si ëndërr me  sy hapur shoh veten në  Paris, Bruksel, New York, Berlin, Amsterdam, Romë, Cairo etj,etj.  Diku me  një seminar, diku në një workshop, diku një prezantim, një udhëtim, mëngjëse pune, dreka të shpejta, dark të mërzitshme, avionë, sa shumë avionë, hotele të ndryshme netët e  vetmuara, e realizuar, e lumtur, por prapë e paplotë. Dilema Hamletiane "To be or not to be" apo frika se po më ikën mosha e ngela pa martuar, pa fëmijë dhe rrugëvë të botës.

- Goce merre se e ke të freskët fare, mi prishi ëndrrat sy hapur një tufë preshi që mu tund afër fytyrës. Aq u tremba sa edhe qesha. Boll fluturove  më  pras i thash vetes!

- Ah jo pras jo, i them, por po pate spinaq po, më duhet të  marr!

- Kam mi t’keqen nona si s’kam, e ke t'baçes.

- Rrofsh none – i them atë dua. Shkoj më tej. Lista që kam në mendje më shpaloset. Trastat nisin të mbushen e rëndohen. Përshëndetem më miqtë e mi fshatarë dhe ndahemi me pazar të kryer.

Sërish në shtëpi, kam vetëm 2 orë kohë për të sistemuar blerjet, pastruar shtëpinë, sistemuar teshat, mbushur lavatriçen, palosur rrobat nga tharësja e për ti bërë gati ato për ti hekurosur. Drekën e kam në mendje sot, nuk më duhet shumë kohë. I di thuajse  përmendësh veprimet.

Në 2 orë shtëpia shkëlqen, dreka është gati, vetëm hekuri mbeti për në darkë. Tani është  ora 14:00, duhet të marr fëmijët nga kopështi.

Nisem, por kësaj here marr makinën, sepse kemi bërë plane. Tani jam shofere në dispozicion.

Zemra më rreh me mall, mezi pres ti shoh, sapo dalin më hidhen në krahë. I shtrëngoj të dy....Uau sa qenkeni rritur që nga mëngjesi! - u them dhe qeshim të tre. Ata natyrisht e kuptojnë  që nuk është e vërtetë, ndaj qeshim.

Po rriten kaq shpejt në fakt, aq sa kam frikë  se  edhe pak dhe nuk do arrij ti ngre dot në  krahë.

- Mam kemi anglisht sot - thotë djali, edhe Art thotë vajza, pastaj edhe kënd lojrash. Urraaahh!!! - u them dhe nisemi. Këto janë  orët me  destinacione që i takojnë  aktiviteteve dhe  dëfrimit, gjithçka në  shërbimin e tyre. Qyteti im në fakt nuk ofron shumë  gjëra për fëmijët por ne përpiqemi dhe ditët i kemi të ndryshme.

Ora 18:30 na gjen prapë në  shtëpi. Fëmijët kanë  vetëm 1 orë  kohë  për tableta, filma vizatimorë, apo për të luajtur më  babin, kohë e mjaftueshme për mua për të  pregatitur darken, të  cilën e

hamë gjithmonë bashkë të  katërt, është kusht. Më shijon kaq shumë kjo darkë sa nuk do ta konkuronte asnjë darkë shefi Michelin.

Banja e përnatëshme është detyra e babit.

Ndërsa ora e gjumit na gjen përqafuar të treve në krevatin e madh timin ku pasi lexojmë  përrallëzat e  preferuara gjumi i zë si zogj në  krahët e mi. Melodia e relaksit me yjet dhe universin projektuar në tavan e ka bërë tani punën e saj. Ata në lëndina ëndërrash tashmë po lodrojnë  dhe eksplorojnë fëmijërinë e tyre .

Kjo është koha kur edhe unë më në fund me një gotë verë në dorë zhytur në kolltuk e rrethuar nga krahët e të dashurit tim të përjetshëm, mes kërcitje drurësh që digjen në vatër, bisedojmë  për veten, fëmijët, për problemet tona, për të  ardhmen….

Strukur tek ai kam kaq shumë siguri dhe dëshirë të ndihem beb dhe sërish e përkëdhelur, si ngahera llastohem e them se jam me fat.

Sytë më  mbyllen nga një lodhje e ëmbël e ashtu përhumbur nis rrugëtimin im ëndrrimtar që në  të  gjitha rastet nuk është më i bukur sesa ai më sy hapur.

Po bëje dhe ti një  punë!! - ma thonë shpesh njerëz të ndryshëm. S’kam fjalë e as dëshirë t’ju përgjigjem, se në fakt kjo është pikërisht puna që kam bërë më me shumë dëshirë  dhe  dashuri gjatë gjithë  jetës sime.

Natën e mirë!

Article Logic
Execution time: 0.0046651363372803