INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION MED+ SPORTS VIDEOS
377 të infektuar nga CORONAVIRUS në Shqipëri, 21 viktima!

377 të infektuar nga CORONAVIRUS në Shqipëri, 21 viktima!

Publikuar më: 13:29 06-04-2020

Ministria e Shëndetësisë ka përditësuar të dhënat në lidhje me numrin e të prekurve nga COVID-19 në Shqipëri. Me anë të një deklarate për mediat, zv.ministrja e Shëndetësisë Mira Rakacolli shprehet se përgjatë 24 orëve të fundit janë kryer 175 teste, 16 prej të cilave kanë rezultuar pozitivë duke e çuar në total numrin e të prekurve në 377. Deri tani, sipas ministrisë së Shëndetësisë 21 qytetarë të prekur me COVID-19 kanë ndërruar jetë.

"Në vijim të komunikimit të përditshëm, Ju bëjmë me dije se vazhdon puna në terren për identifikimin e rasteve të reja dhe gjurmimin e kontakteve të rasteve, të konfirmuara pozitive. Në 24 orët e fundit janë testuar 175 persona të dyshuar, prej të cilëve janë konfirmuar 16 raste të reja me COVID-19. Deri në këto momente janë testuar 2571 raste të dyshuara dhe prej tyre janë të konfirmuar pozitivë me COVID-19, 377 raste. Janë testuar gjithashtu 11 personel shëndetësor dhe kanë rezultuar të gjithë negativë nga COVID-19. Betejën me këtë sëmundje e kanë humbur deri tani 21 qytetarë, megjithë përpjekjet e jashtëzakonshme të personelit shëndetësor", tha Rakacolli.

Ajo theksoi se në 24 orët e fundit janë shëruar 12 pacientë të tjerë, ndërsa numri të shëruarve deri tani ka shkuar në 116. Sipas ministrisë së Shëndetësisë, 30 për qind e qytetarëve të infektuar nga COVID-19 kanë triumfuar me sukses.

"Gjatë 24 orëve të fundit, 12 pacientë të tjerë i janë shtuar listës së të shëruarve, duke e çuar numrin e të shëruarve nga COVID-19 në 116. Pra rreth 30% e të prekurve deri tani rezultojnë të shëruar. Ju informojmë se, në shërbimin infektiv aktualisht janë 66 të shtruar. 5 prej tyre janë në terapi intensive. Në spitalin COVID 2 “Shefqet Ndroqi”, janë 7 pacientë të shtruar gjithsej. 6 pacientë janë në terapi intensive. Në dy spitalet COVID aktualisht po marrin shërbim 73 pacientë. Harta e të prekurve nga COVID-19 zgjerohet në Tiranë, Durrës, Fier, Has, Berat dhe Shkodër", shtoi ajo.

Shpërndarja gjeografike e rasteve pozitive

- Tiranë 177 raste

- Durrës 38 raste

- Lushnje 5 raste

- Elbasan 10 raste

- Fier 26 raste

- Kavajë 8 raste

- Rrogozhinë 4 raste

- Korçë 16 raste

- Vlorë 5 raste

- Shkodër 44 raste

- Lezhë 14 raste

- Berat 2 rast

- Has 12 raste

- Krujë 5 raste

-Tropojë 4 raste

- Pukë 4 raste

- Mirditë 3 raste

Zonja Rakacolli ftoi qytetarët që kanë shenja apo simptoma të COVID-19 të telefonojnë menjëherë në numrat pa pagesë 127 dhe në 0800 40 40 dhe të mos paraqiten personalisht në urgjencë.

"Siç shihet, kemi një rritje të numrit të rasteve kryesisht në Shkodër, Tiranë dhe Has, që tregon edhe njëherë mos respektimin e distancimit social dhe masave të kontrollit të infeksionit që Ministria e Shëndetësisë vijon të rekomandojë çdo ditë në komunikimet publike. Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale i kërkon qytetarëve të vijojnë të respektojnë masat e distancimit social. Sic e tregojnë edhe shifrat e ditëve të fundit, ku ka raste brenda të njëjtës familje, është e rëndësishme që masat e kontrollit të infeksionit të respektohen maksimalisht edhe brenda rretheve familjare duke shmangur vizitat tek të afërmit për çdo lloj arsye për të parandaluar transmetimin e COVID-19. Ministria e Shëndetësisë Nëse keni shenja të sëmundjes COVID19 telefononi numrin e urgjencës 127. Për çdo pyetje apo informacion rreth COVID19 telefononi në linjën e gjelbër 0800 40 40", njofton ministria.

Article Logic
Execution time: 0.0037989616394043