Pa e përmendur asnjëherë më parë në publik, qeveria ka dërguar në Parlament një projektligj, i cili parashikon ndërtimin e një superporti në Karpen të Kavajës me vlerë 5 miliardë dollarë.
Sipas qeverisë, investimi do të kryhet nga një kompani britanike nga Uellsi, përmes një kontrate që do të lidhet me një procedurë të veçantë. Qeveria e ka klasifikuar projektin si një investim strategjik, i cili sipas saj do të injektojë në ekonomi një shifër sa 57 për qind e prodhimit kombëtar dhe do të hapë 6.200 vende të reja pune, raporton “TopChannel”.
Sipas relacionit të dërguar në Kuvend, Porti i Karpenit do të mundësojë hyrjen e anijeve të mëdha tregtare, që kanë nevojë për një thellësi prej 20 metrash. Për realizimin e qëllimit të këtij porti është e domosdoshme të ndërtohet edhe një zonë ekonomike, e cila në përfundim të projektit është parashikuar të këtë një shtrirje prej 1.700 hektarësh.
Në relacion qeveria thotë se, projekti i portit të pagëzuar me emrin “Morgan” është një mundësi unike zhvillimi, e propozuar nga një aleancë kompanish të mirënjohura në këtë fushë.
Nga verifikimi “online”, në Qendrën britanike të Regjistrimit rezulton se kompania “Star Bridge” të jetë regjistruar në vitin 2011. Ajo nuk ka raportuar asnjë aktivitet ekonomik gjatë këtyre viteve dhe ka një kapital themeltar prej 100 paundësh.newsbomb.al