INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION MED+ SPORTS VIDEOS
500 mijë euro vjedhje. Goditet grupi i 40 ‘skifterëve’ shqiptarë të shpërndarë në Europë [VIDEO]

500 mijë euro vjedhje. Goditet grupi i 40 ‘skifterëve’ shqiptarë të shpërndarë në Europë [VIDEO]

Publikuar më: 17:33 10-07-2018

Një operacion i përbashkët Francë-Shqipëri-Gjermani ka goditur një grup të fuqishëm kriminal të përbërë nga shqiptarët, që vepronte në fushën e vjedhjes së banesave në këto dy vende. Mësohet se operacioni ku është përfshirë edhe Europol u shtri edhe në territorin shqiptar.

Policia e Shtetit bën me dije se, javën e kaluar kontrolluan një numër të madh pronash dhe arrestuan një shtetas të dyshuar se i përkiste grupit të lëvizshëm të krimit të organizuar.

“Në fazën e fundit të këtij hetimi, policia shqiptare ( Task – Forca “Anti Skifter”, DVP Kukës, Tiranë, Fier, Vlorë e Gjirokastër ) ka kontrolluar në fillim të korrikut nëntë apartamente, bare dhe restorante në Tiranë, e mbështetur në vendngjarje nga ekspertë të Europolit, Xhandarmëria Franceze (OCLDI) dhe selia qendrore e policisë në Offenburg. Si rezultat, një i dyshuar si pjesëtar i të njëjtit grup u arrestua në Kukës, dhe u gjetën disa sende të çmuara që besohej se ishin rezultat i vjedhjeve të ndryshme”, njofton policia.

Ndërkohë mësohet se dëmi financiar nga grupi në fjalë përllogaritet afërsisht në 500 mijë euro, me dëmtime të rënda psikologjike për viktimat.

“Kjo është faza e fundit e veprimeve në një hetim që ka paraprirë tashmë arrestimin e katër anëtarëve të tjerë të të njëjtit grup kriminal.

Hetimi u nis nga autoritetet gjermane në Offenburg në gusht 2017, pasi një grup i krimit të organizuar shqiptar ra në rrjetën e tyre, për kryerjen e një numri vjedhjesh banesash në jug të Gjermanisë. Në të njëjtën kohë, xhandarmëria franceze (OCLDI) po heton gjithashtu një grup kriminal shqiptar përgjegjës për më shumë se 45 vjedhje banesash në Francë.

Më pas u bë e qartë se të dy autoritetet ato gjermane dhe franceze, po hetonin të njëjtën organizatë kriminale e cila ishte aktive në të dy vendet njëkohësisht”, sqaron policia.

Më tej uniformat blu shtojnë se “në fillim të vitit 2018 u arrit në përfundimin se të dyshuarit nën hetim nga xhandarmëria franceze, i kishin zgjeruar aktivitetet e tyre kriminale në Gjermani”

Hetimet tashmë kanë identifikuar anëtarët e tjerë të këtij grupi të lëvizshëm të krimit të organizuar, që besohet se përfshin mbi 40 vetë të cilët veprojnë si në Francë ashtu edhe në Gjermani. Bashkëpunimi ndërkombëtar policor i koordinuar nga Europol kishte rol kyç në vënien e këtyre autorëve para drejtësisë me të arrestuarin e fundit, rezident jashtë BE-së.

Article Logic
Execution time: 0.0034999847412109