Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale ka përditësuar të dhënat në lidhje me numrin e qytetarëve të prekur nga pandemia globale e COVID-19 në Shqipëri. Me anë të një komunikate për mediat, Dr. Marjeta Dervishi e Institutit të Shëndetit Publik, tha se gjatë 24 orëve të fundit janë kryer 231 teste, prej të cilave 14 kanë rezultuar pozitivë. Që nga konfirmimi i rastit të parë dhe deri tani, numri i të prekurve në Shqipëri nga pandemia globale e coronavirus ka shkuar në 562 persona.
"Në vijim të komunikimit të përditshëm, Ju bëjmë me dije se vazhdon puna në terren për identifikimin e rasteve të reja dhe gjurmimin e kontakteve të rasteve, të konfirmuara pozitive. Në 24 orët e fundit janë testuar 231 persona të dyshuar me COVID-19, prej të cilëve 35 janë personel shëndetësor. Nga rezultatet e testimeve janë konfirmuar 14 raste pozitive me COVID19, prej të cilëve 1 është personel shëndetësor në Shkodër. Nga rastet e reja 7 i përkasin Krujës, 5 raste në Tiranë, 2 raste në Shkodër. Deri në këto momente janë testuar 5542 raste të dyshuara dhe prej tyre janë të konfirmuar pozitivë me COVID-19, 562 raste, pra rreth 10% e të gjithë të testuarve. Kjo shifër tregon për një kontroll të mirë të epidemisë dhe për një numër krejtësisht të mjaftueshëm testimesh për të vlerësuar situatën. Gjatë 24 orëve të fundit, 12 pacientë të tjerë i janë shtuar listës së të shëruarve, duke e çuar numrin e të shëruarve nga COVID-19 në 314", tha ajo.
Harta e të prekurve nga COVID-19 zgjerohet në Tiranë, Shkodër dhe Krujë.
"Aktualisht në vendin tonë janë 222 persona të infektuar aktivë dhe siç shihet, numri i të shëruarve është më i lartë, dhe kjo tendencë tashmë vazhdon pa luhatje prej më shumë se një jave. Deri sot, 26 qytetarë e kanë humbur betejën me këtë semundje megjithë përpjekjet e stafit mjekësor. Ju informojmë se, në shërbimin infektiv aktualisht janë 34 të shtruar. 6 pacientë janë në terapi intensive. Në spitalin COVID 2 “Shefqet Ndroqi”, janë 8 pacientë të shtruar. 4 pacientë janë në terapi intensive në gjendje të rënduar, ndërsa 4 prej tyre janë në pavion. Në dy spitalet COVID aktualisht po marrin shërbim 42 pacientë", tha Dr. Marjeta Dervishi.
Shpërndarja gjeografike e rasteve pozitive, është si vijon:
Tiranë 251 raste
Durrës 42 raste
Lushnje 6 raste
Elbasan 16 raste
Fier 36 raste
Kavajë 9 raste
Rrogozhinë 4 raste
Korçë 19 raste
Vlorë 5 raste
Shkodër 96 raste
Lezhë 14 raste
Berat 2 raste
Has 13 raste
Krujë 18 raste
Tropojë 4 raste
Pukë 5 raste
Mirditë 3 raste
Kukës 11 rast
Mallakastër 1 raste
Kurbin 7 raste
"Pavarësisht luhatjesve në numrat ditorë të zbulimit të bartësve të virusit apo të sëmurëve prej tij, situata është njëlloj e kontrolluar. Treguesi i vërtetë është numri i të shtruarve në spitale, që vazhdon të mbetet në shifra të qëndrueshme. Në mënyrë që situata të vazhdojë të jetë e kontrolluar, është e rëndësishme që qytetarët të respektojnë masat e distancimit fizik, si e vetmja mënyrë e kufizimit të përhapjes së infeksionit. Këto masa duhet të respektohen makimalisht edhe brenda rretheve familjare, duke shmangur vizitat tek të afërmit për çdo lloj arsye. Nëse keni shenja të sëmundjes COVID19 telefononi numrin e urgjencës 127. Për çdo pyetje apo informacion rreth COVID19 telefononi në linjën e gjelbër 0800 40 40", thuhet në njoftimin e Ministrisë së Shëndetësisë./Euronews.al