Gjashtë vatra zjarri janë shënuar në gjithë vendin gjatë 24 orëve të fundit. Emergjencat civile njoftojnë se në qarkun e Shkodrës, zjarri përfshiu pyllin me pisha në fshatin Karmë të bashkisë Vau Dejës.
Forcat zjarrfikëse dhe të pyjores kanë izoluar vatrat e zjarrit në fshatin Karmë në mbrëmje duke shpëtuar edhe një stan veror me gjithë bagëtitë.
Një vatër zjarri nuk u arrit të izolohej për shkak të terrenenit tepër të thyer. Gjatë gjithë natës forcat e pyjores kanë mbajtur në monitorim vatrat e zjarrit ndërsa është djegur një sipërfaqe e konsiderueshme me shkurre dhe pisha.
Ka vazhduar puna për të izoluar vatrat e zjarrit në fshatin Velipojë, Forcat dhe mjetet kanë punuar deri në mbrëmjen e së martës duke izoluar të gjithë vatrat e zjarrit duke mos lejuar të preket nga zjarri pylli me pisha. Sot po punohet për të shuar plotësisht vatrat e zjarrit.
Zjarri i rënë në terren të thyer në pyllin me bredh dhe pishë në fshatin Bogë, Njësia Administrative Shkrel, bashkia Malësia e Madhe është riaktivizuar dhe ka marrë përmasa të mëdha. Po punohet për izolimin e zjarrit.
Në qarkun e Lezhës, punohet për izolimin e vatrave të zjarrit në fshatin Nënshetaj, Njësia Administrative Orosh, bashkia Mirditë. Ka pasur një shfaqje të re zjarri në vendin e quajtur “Grykë Orosh” në fshatin Orosh, të kësaj njësie administrative. Zjarri i favorizuar nga era e fortë ka rrezikuar banesat, shkollën 9-vjeçare, kishën e fshatit dhe pyllin me pisha.
Në qarkun e Berat ka rënë zjarr në shkurre dhe ullishte në fshatin Otllak. Si pasojë e zjarrit u dogjën rreth 2 ha me shkurre dhe 80 rrënjë ullinj të moshës së vjetër.
Në qarkun e Korçës Reshjet e shiut kanë shuar të gjithë vatrat aktive të zjarrit në vendin e quajtur “Përroi i Qershisë” pranë Voskopojës Zjarri ka djegur një sipërfaqe të konsiderueshme me pyll pishe.
Në operacione për shuarjen e zjarreve janë angazhuar rretg 90 punonjës zjarrfikës, 11 automjete zjarrfikëse, 60 personel nga Forcat të Armatosura të Ushtrisë, rreth 50 punonjës të Pyjores e të bashkive, të mbështetur edhe nga helikopterë.