INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION MED+ SPORTS VIDEOS
62% e amerikanëve besojnë se presidenti Trump po thellon përçarjet

62% e amerikanëve besojnë se presidenti Trump po thellon përçarjet

Publikuar më: 16:28 24-08-2017

Afro 2/3 e votuesve amerikanë besojnë se presidenti Trump po ndikon në thellimin e përçarjeve mes amerikanëve, se sa në unitetin në vend. Një anketë e Universitetit Quinnipiac tregon se 62% e votuesve besojnë se presidenti po e keqëson gjendjen e përçarë në vend, ndërsa 31% besojnë të kundërtën. Anketa pasqyron përshtypjen e përgjithshme në vend pas trazirave në Sharlotsvill të Virxhinias ku një grua gjeti vdekjen pasi e shtypi me makinë një supremacist i bardhë.Presidenti foli disa herë mbi këtë temë, duke ndryshuar shpesh qëndrim. Ai u kritikua nga shumë segmentë të shoqërisë amerikane për atë që u pa si ngurrim nga ana e presidentit për t’ia vënë fajin një pale të caktuar për incidentet.

Jehonë nga Përçarjet e Luftës Civile
Presidenti ka ngritur argumentin se nga të dyja palët kishte elementë që po nxisnin dhunën, e cila filloi me një demonstratë të grupeve të ekstremit të djathtë që kërkonin të mbronin një statujë të ish-komandantit ushtarak të Konfederatës, Robert E. Lee. Qëndrimi i presidentit gjeti jehonë në fjalët e shefit të policisë së Sharlotsvillit, që u shpreh se nga të dyja palët kishte njerëz që u hodhën në akte dhune.
Presidenti ka thënë disa herë se dënon grupet e ekstremit të djathtë, por ai është bërë objekt kritikash kur pas vrasjes së gruas protestuese nga goditja me makinë, ai u shpreh se kishte shumë palë të përfshira në incidente.
Tensionet Racore në Amerikë: Si duket Situata Aktuale?
Rreth 59% e pjesëmarrësve në anketë besojnë se sjellja e presidentit u ka dhënë zemër supremacistëve të bardhë, 35% besojnë se sjellja e tij nuk ka ndikuar, ndërsa vetëm 3% thonë se me fjalët e tij presidenti ka ndikuar negativisht tek supremacistët e bardhë. Tim Malloy, i cili ishte i përfshirë në zhvillimin e anketës, thotë se ngjarjet në Sharlotsvill dhe komentet e presidentit kanë ushqyer përshtypjen se tensionet racore në Amerikë po acarohen. “Presidenti u zgjodh për aftësinë e tij si biznesmen që di të gjejë zgjidhje, por tani ai po vlerësohet shumë dobët për punën që po bën,” tha zoti Malloy. Media po përqendrohet shumë tek aktivistët që duan heqjen e statujave që nderojnë figura të Konfederatës, por anketat tregojnë se opinioni publik nuk i mbështet masivisht këto përpjekje.

Shumë Amerikanë Duan t’i ruajnë Statujat
Anketa njofton se 39% e votuesve duan heqjen e statujave të Konfederatës, por 50% nuk janë dakord, ndërsa 10% nuk janë të sigurtë. Në një tjetër anketë nga televizioni publik amerikan, 62% e pjesëmarrësve thanë se statujat nuk duhet të lëvizen. Një anketë e revistës The Economist dhe faqja informative YouGov tregon se 48% e pjesëmarrësve nuk duan heqjen e statujës së Robert E. Lee nga parku në Sharlotsvill, ndërsa 30% duan heqjen e saj dhe 22% nuk kanë ndonjë mendim të caktuar. Anketa e Universitetit Quinnipiac tregon gjithashtu se shumica e pjesëmarrësve, 62% nuk janë dakord me akuzat e Presidentit Trump në adresë të medias për lajme të rreme. Shumica e amerikanëve duket se i besojnë më shumë medias se Presidentit Trump për të thënë të vërtetën. Rezultatet bazohen në anketimin e amerikanëve në të gjithë vendin nga 17-22 gusht.

Article Logic
Execution time: 0.0036079883575439