Një delegacion me deputetë të Parlamentit Europian do të vizitojë Tiranën dhe Shkupin për të parë nga afër zbatimin e reformave të kërkuara nga BE-ja.
Mësohet se një delegacion i këtij komisioni i përbërë nga 7 deputetë, i kryesuar nga z. Tunne Kelam do të takohet me udhëheqësin politik, përfaqësuesit e opozitës dhe shoqërinë civile në të dy vendet nga 27 shkurti deri më 1 mars.
Gjatë kësaj vizite do të adresohen çështjet e theksuara në rezolutat e PE mbi Ballkanin Perëndimor të miratuara në nëntor 2018, së bashku me zhvillimet aktuale në Shqipëri dhe zbatimin e Marrëveshjes së Prespës në Maqedoninë e Veriut.
Por para kësaj vizite ka folur eurodeputeti i PPE Tunne Kelam që është dhe kryesuesi. “2019 është një vit i rëndësishëm që do të formësojë të ardhmen afatgjatë të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut. Ne e mirëpresim progresin e bërë deri më tani dhe i nxisim fort të gjitha forcat politike që të punojnë së bashku për të zbatuar reformat e nevojshme pa vonesë. Nuk ka kohë për të humbur përpara takimit të Këshillit Europian në qershor në Bruksel, ku do të merren vendime për gatishmërinë e këtyre vendeve për të hapur negociatat e pranimit”, ka deklaruar Kelam.
Duke komentuar mbi djegien e mandateve të opozitës dorëheqjen e fundit dhe protestat në Shqipëri, ai shtoi: “Ne dënojmë me forcë të gjithë retorikën politike që nxit dhunën dhe i bëjmë thirrje opozitës që të përfshihet sërish në procesin demokratik parlamentar. Qeveria dhe opozita duhet urgjentisht ta qetësojnë situatën përmes angazhimit konstruktiv”.
Si Shqipëria ashtu dhe Maqedonia e Veriut shpresojnë t’iu hapet drita jeshile nga BE për hapjen e negociatave të pranimit në BE në qershor 2019.
Delegacioni i PE përbëhet nga 7 eurodeputetë.
Tunne Kelam (Kryesues)
Cristian Preda
Knut Fleckenstein
Juan Fernando Lopez Aguilar
Bas Belder
Ilhan Kyuchyuk
Tamás Meszerics