INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION MED+ SPORTS VIDEOS
7 supermarkete të tjera i bashkohen nismës së Bashkisë së Tiranës për reduktimin e qeseve plastike

7 supermarkete të tjera i bashkohen nismës së Bashkisë së Tiranës për reduktimin e qeseve plastike

Publikuar më: 11:22 07-04-2017

Nismës së Bashkisë së Tiranës për reduktimin e përdorimit të qeseve plastike i janë bashkuar edhe 7 rrjete supermarketesh të tjera, të cilat ushtrojnë aktivitetin e tyre në kryeqytet. Ato nënshkruan marrëveshjen e mirëkuptimit me Bashkinë e Tiranës, duke u angazhuar të marrin masat për të ulur deri në ndalimin e plotë të përdorimit të qeseve plastike në pikat e tyre të shitjes. Marrëveshja u firmos dje nga kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj dhe drejtuesit e 7 supermarketeve, të cilët ranë dakord që qeset plastike t’i shesin me një vlerë simbolike me qëllim dekurajimin e përdorimit të tyre, duke qenë se qeset janë edhe ndotëset më të mëdha të mjedisit.

Kryebashkiaku Veliaj vlerësoi gatishmërinë që kanë treguar këto kompani për të kontribuar në një qytet më të pastër, duke përdorur sa më pak material të dëmshëm për mjedisin. “Jam shumë entuziast sot, që nismës sonë për të reduktuar përdorimin e qeseve plastike në qytetin e Tiranës, i është bashkuar edhe një rrjet i 7 supermarketeve dhe besoj se detyra kryesore e tyre është padyshim që të kultivojnë një konsumator të përgjegjshëm, ushqim dhe produkte të shëndetshme, e që ruajnë standardin”, tha Veliaj, pas ceremonisë së nënshkrimit të kësaj marrëveshje.

Ai theksoi se përmes kësaj nisme, jo vetëm që ruhet ambienti nga ndotja, por edhe kultivohet një qytetari e mirë. “Kemi probleme të panumërta në një qytet që është ndërtuar për 200 mijë banorë dhe sot ka 1 milionë banorë; shpesh kanalizimet bllokohen, po ashtu edhe impiantet e grumbullimit të mbetjeve, kazanët, gjithashtu në sheshpushimet e lagjeve, në këndet e lodrave shohim katastrofa mjedisore nga papërgjegjshmëria. Ndaj, është e rëndësishme që këto rrjete supermarketesh të bashkuara në këtë nismë me Bashkinë e Tiranës, të garantojnë një qytet më të pastër”, theksoi Veliaj.

Veliaj e cilësoi si të suksesshme javën e parë të zbatimit të nismës, duke shtuar se këtë javë u reduktua ndjeshëm përdorimi i qeseve plastike nga qytetarët. “Duke parë ditët e para se si është reduktuar ndjeshëm përdorimi i qeseve plastike, vetëm nga fakti që ka hyrë një pagesë modeste, më mbush me shpresë për një Tiranë shumë më të pastër dhe për një Tiranë që eventualisht në një periudhë disa mujore, me gjasë do të reduktojë në maksimum përdorimin e qeseve plastike. Dua të falenderoj të gjithë ata qytetarë, duke filluar nga fëmijët që e përqafojnë të parët ndryshimin, duke vijuar me amvisat dhe ata që bëjnë pazarin, se po e çojnë Tiranën drejt një sjellje moderne, ku pavarësisht çfarë ndodh në politikat e mëdha, në politikat e vogla të qytetit, të gjithë po sillemi nga pak perëndimorë”, shtoi Veliaj.

Prej një jave, në disa nga supermarketet që nënshkruan të parat marrëveshjen me Bashkinë e Tiranës, nisma për reduktimin e qeseve po zbatohet me sukses, ku qytetarët të dekurajuar nga pagesa prej 3 dhe 5 lekësh kanë nisur të përdorin trastat e rrobës.

Article Logic
Execution time: 0.0038750171661377