INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION MED+ SPORTS VIDEOS
“8 Marsi”, Basha: Rama ka çuar shumë gra drejt vetëflijimit

“8 Marsi”, Basha: Rama ka çuar shumë gra drejt vetëflijimit

Publikuar më: 20:19 08-03-2017

Në çadrën e protestës së opozitës, në mbledhje me gratë për rastin e 8 marsit, kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha akuzoi kryeministrin Edi Rama se ka sjellë një model pushteti që nuk respekton por dhunon të gjithë shqiptarët, e gratë në veçanti.

Sipas Bashës, gratë e vendit me kurajën e tyre i vunë vulë evropiane festës së “8 marsit” duke e kthyer nga një ditë feste në ditë proteste.

Akuzat e kreut të opozitës nuk përfunduan, pasi ai tha se “modeli shpirt-kazëm i pushtetit të Ramë ka shtyrë dhjetëra gra drejt vetëflijimit për vështirësitë që u ka sjellë”.

“Është ditë proteste e qëndrese, dhe gratë sot i vunë vulën evropiane 8 marsit, jo ditë feste, por ditë proteste. Me qëndresën e forcën që kanë demonstruar këto vajza, gra, janë heroinat tona, të çdo shqiptari. Shpirti i luftës për drejtësi, për të drejtat që shkelen ditë për ditë nga një qeveri që ka dalë jashtë ligjit po na nxjerrin jashtë realitetit normal të vendit. Të gjithë e dinë se vlerat rrjedhin nga edukata e arsimimi. Shembulli i nënave tona, shembulli i duhur që na frymëzon të gjithëve, e në veçanti politikanët që marrin vendime të rëndëishme për vendin. Por e dimë se sa katastrofik është shembulli i gabuar. Rrënjën e së keqes e kemi te shembulli i kreut të qeverisë, që ka sjellë në pushtet një model që nuk respekton por dhunon të gjithë shqiptarët, për gratë në veçanti. Nuk ka dhembshuri, por ka arrogancë për të gjithë. Model shpirt-kazëm që ka shtyrë dhjetëra gra drejt vetëflijimit për vështirësitë që i ka sjelli modeli i krimit në pushtet. Ky është modeli të cilin shqiptarët janë ngritur për ta larguar përmes votës së lirë. Edi Rama me sjelljen e tij me pasojat e rënda përfaqëson vetëm modelin e krimit, drogës, trafikantëve që i bëri depuetetë e kryetarë bashkish. Krimi i bërë njësh me pushtetin kërcënon të drejtat tona themelore,” tha ai.

Lulzim Basha bëri edhe një herë të ditur vendimet e marra pas mbledhjes me krerët e opozitës për të organizuar kuvende qytetare që bëjnë thirrje për zgjedhjet e lira e të ndershme në të gjithë vendin, si mos hyrja në zgjedhje pa një qeveri teknike.

“Sot më 8 mars duke marrë kurajo nga kurajo e grave, opozita ka marrë një vendim të qartë, të ndarë në dy pjesë: organizimin në territorin e Shqipërisë të kuvendeve qytetare për zgjedhje të lira e të ndershme, aty do të bashkohen qytetarë të të gjitha kategorive për t’i dhënë zë qëndresës sonë për zgjedhje të lira përmes qeverisë teknike, këtu do të marrë formë Republika e Re. Vendimi i dytë i opozitës nuk është bojkoti i zgjedhjeve, nuk do t’ja hidhni kaq lehtë, se zgjedhje fasadë me krimin nuk do të ketë. Rezistenca civile, armata e Republikë së Re do të pengojë me të gjitha mjetet qytetare, demokratike, zgjedhjet me krimin, me drogën. Ngule mirë në mendje, zgjedhje fasadë nuk ka për të pasur më në Shqipëri. I ke bërë hesapet pa popullin. Të gjithë bashkë do vrasim “Republikën e Vjetër”. Ky është themeli i demokracisë më të madhe në botë, i SHBA-së nga të cilat marrim mbështetje pa kushte për zgjedhje të lira,” tha Basha.

Article Logic
Execution time: 0.0039751529693604