INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION MED+ SPORTS VIDEOS
A do e afrojë Ramën me Bashën 18 tetori? Ja parakushti për dy liderët

A do e afrojë Ramën me Bashën 18 tetori? Ja parakushti për dy liderët

Publikuar më: 09:56 07-09-2019

OSBE/ ODIHR, në raportin përfundimtar mbi zgjedhjet lokale të 30 qershorit në Shqipëri e vendos dialogun politik mes palëve si rekomandim prioritar, që duhet zbatuar pa humbur më kohë. “Me qëllim forcimin e demokracisë pluraliste, riafirmimin e të drejtës së qytetarëve për të marrë pjesë në qeverisje dhe demostruar përgjegjësi të përbashkët ndaj integritetit të procesit zgjedhor, partitë politike dhe palët e tjera të interesuara elektorale duhet të përfshihen në një dialog të hapur dhe gjithëpërfshirës për reformën zgjedhore,” thekson raporti përfundimtar i misionit të vëzhguesve ndërkombëtarë të OSBE/ODIHR-it, i publikuar të enjten e javës që kaloi.

Ulja e palëve në tryezën e bisedimeve dhe kryerja e reformës zgjedhore konsiderohen parakushti vendimtar që Shqipëria të ndahet njëherë e mirë nga zgjedhje “atipike, pa pjesëmarrjen e opozitës” si janë cilësuar lokalet e 30 qershorit nga misioni i vëzhguesve ndërkombëtarë të OSBE/ ODIHR-it.
Gjetjet në raportin përfundimtar pasqyrojnë një realitet që ka nevojë emergjente të ndryshojë, në një vend anëtar të NATO-s që kërkon të bëhet anëtar i BE. Në krye të tyre është fakti i njohur se lokalet 2019 u zhvilluan në kushtet e krizës politike dhe institucionale, të shkaktuar nga “antagonizmi i gjatë mes PS, partisë në pushet dhe PD në opozitë, që bashkë me LSI, doli nga Parlament dhe vendosi të mos marrë pjesë në zgjedhje deri në dorëheqjen e kryeministrit Rama dhe formimin e një qeverie teknike,” thekson raporti, shkruan DW.

Që Shqipëria të arrijë të ketë zgjedhje konform të gjitha standarteve ndërkombëtare dhe demokratike lypset dialogu dhe bashkëpunimi qeveri- opozitë. Por tani për tani ai duket ende larg. Opozita jashtëparlamentare ka paralajmëruar rifillimin këtë muaj të protestave për të rrëzuar kryeministrin Rama si rruga e vetme sipas saj, për të nxjerrë vendin nga kriza e gjatë politike. Nëse opozita rifillon protestat e saj antiqeveritare për të rrëzuar Ramën, mision që nuk arriti ta realizojë me protestat 5 mujore shkurt-qershor, ky do të jetë vijim i dështimit të kompromisit dhe uljes në tryezën e bisedimeve dhe pritet të ndikojë negativisht lidhur me vendimin për hapjen e negociatave./DW/

 

Article Logic
Execution time: 0.0035159587860107