KDI kërkon nga deputetët e Kuvendit të Kosovës që sa më parë të thërrasin një seancë të jashtëzakonshme për të diskutuar lidhur me fazën e re të dialogut me Serbinë dhe platformën shtetërore të Kosovës për këtë proces.
“Deputetët në këtë platformë duhet të përcaktojnë temat e diskutimit, pritshmërinë e palës kosovare, rolin e institucioneve dhe ekipin negociues, duke i dhënë legjitimitet këtij procesi shtetëror me miratimin e një rezolute e cila do të garantojë gjithashtu bashkërendim të institucioneve, gjithëpërfshirje, llogaridhënie dhe transparencë”, thuhet në komunikatë.
Debati rreth të ardhmes së këtij procesi, sipas KDI-së, duhet të zhvillohet në Kuvendin e Kosovës, ku partitë parlamentare duhet të synojnë të ndërtojnë konsensus politik dhe të artikulojnë qartazi qëndrimet e shtetit të Kosovës në këto bisedime.
Qeveria e Kosovës më 19 prill 2018 miratoi projekt- platformën për finalizimin e dialogut Kosovë-Serbi, platformë e cila i’u dorëzua presidentit të Kosovës dhe Kuvendit të Kosovës.