INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION MED+ SPORTS VIDEOS
A do përballet Shqipëria me terrorizmin?  - “Ujqërit  e vetmuar” më të rrezikshëm!

A do përballet Shqipëria me terrorizmin? - “Ujqërit e vetmuar” më të rrezikshëm!

Publikuar më: 12:17 23-03-2016

Ndërsa shteti përballet me luftëtarët e kthyer nga Siria dhe vënien nën kontroll të xhamive, ekspertët thonë se të rinjtë janë ende të rrezikuar nga radikalizimi online dhe u frikësohen sulmeve të mundshme nga “ujq të vetmuar”. Me këtë shpjegim e nis Agjencia Birn shkrimin më të fundit pas ngjarjeve të Brukselit. Madje ka publikuar dhe shifra më të larta të shqiptarëve, që i janë bashkuar grupeve xhihadiste se ato që shteti ynë ka raportuar.
Sipas Birn qeveria vlerëson se më shumë se 100 shqiptarë i janë bashkuar grupeve xhihadiste në Siri dhe Irak, përfshirë 13 gra dhe 31 fëmijë, 26 prej të cilëve janë minorenë.
BIRN ka identifikuar të paktën 107 shqiptarë që kanë qenë në Siri dhe Irak gjatë katër viteve të fundit.
Të dhënat flasin se 55 shqiptarë janë ende në Siri dhe besohet, sipas burimeve të shërbimeve sekrete të shtetit, se po luftojnë për ISIS apo banojnë në territorin e kontrolluar nga ISIS.

18 mendohet se janë vrarë në konflikte dhe 12 janë plagosur.

3 luftuan me krahun turk të Al-Kaedës, në batalionin Murat Gezenler, të tjerët iu bashkuan Al Nusrës ose ISIS-it.

42 u kthyen në vend para se qeveria të miratonte ligjet e reja që e kriminalizojnë luftimin në konflikte të huaja.

Shifrat e shqiptarëve që largohen për të luftuar në Siri dhe Irak kanë rënë ndjeshëm, pasi qeveria miratoi ligjet e reja anti-terror në shkurt 2014.

Të dhënat sipas viteve:

Viti 2012 - 20 burra shqiptarë u larguan nga vendi për të luftuar në Siri dhe Irak
Viti 2013 - 83 burra, gra dhe fëmijë shqiptarë u nisën për në Siri dhe Irak
Viti 2014 - 4 shqiptarë u larguan për në Siri dhe Irak
Viti 2015 - 1 shqiptar u largua për në Siri

Birn në analizën e saj flet dhe për rreziku nga luftëtarët e kthyer.

Ja ç’thotë:
Përveç ndalimit të radikalizimit të lidhur me disa xhami, Shqipëria duhet gjithashtu të përballet me kërcënimet që lidhen si me “eksportimin” e xhihadistëve, ashtu edhe me luftëtarët e kthyer në vend. Në fillim të vitit 2014, të paktën 40 luftëtarë shqiptarë ishin kthyer nga Siria. Sipas një dosje të shërbimeve sekrete të parë nga BIRN, besohet se 15 luftëtarë të kthyer në vend përbëjnë një kërcënim akut për sigurinë. “Ata (të 15-të) qëndrojnë në hije, por ruajnë një nivel të lartë radikalizimi,” tha një burim i sigurt, duke folur në kushtet e anonimatit.
Një tjetër burim konfirmoi se të paktën 40 nga të kthyerit, disa prej të cilëve nuk konsiderohen të rrezikshëm, mbahen nën vëzhgim.

Article Logic
Execution time: 0.0032601356506348