INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION MED+ SPORTS VIDEOS
A e dini se nëse ju vonohet avioni 5 minuta mund të përfitoni kompensim 5 mijë euro, ndërsa për valixhet më shumë...

A e dini se nëse ju vonohet avioni 5 minuta mund të përfitoni kompensim 5 mijë euro, ndërsa për valixhet më shumë...

Publikuar më: 10:38 01-06-2018

Jo të pakta janë rastet kur për shkaqe nga më të ndryshmet kompanitë ajrore mund të vonojnë fluturimin çka rezulton në dëm të pasagjerëve. Në këto raste, këta të fundit mbrohen me politika të veçanta kompensimi të cilat në Shqipëri edhe pse kanë nisur të aplikohen së fundmi pritet të ndryshojnë sipas Kodit të ri Ajror.

A e dini se kjo shumë mund të arrijë deri në 5 mijë euro për pasagjer. Në mbledhjen e saj të fundit qeveria miratoi pikërisht Kodin e ri i cili në kapitullin e tretë “Përgjegjësia kontraktuese” neni 143 analizon vonesat në transport.

Në këtë nen përcaktohet se transportuesi është përgjegjës për dëmtimet e shkaktuara nga vonesat në transportimin ajror të pasagjerëve. Por edhe në këtë rast ka një përjashtim. “Transportuesi nuk është përgjegjës për dëmet, shkaktuar nga vonesa, kur provon se ai, punonjësit dhe agjentët e tij morën të gjitha masat e mundshme, për të shmangur dëmtimin, ose kur provon se marrja e masave të tilla ishte e pamundur” thuhet në Kodin e ri Ajror.

I njëjti përcakton se në rast dëmi, të shkaktuar nga vonesa në transportimin e një personi, përgjegjësia e transportuesit për çdo pasagjer kufizohet deri në 4 150 SDR që llogaritet pak më shumë se 5000 euro (SDR është monedha e FMN e rënë dakord për t’u përdorur në Konventën e Montrealit). Ky kufizim nuk respektohet në rast se provohet që dëmtimi shkaktohet nga neglizhenca e transportuesit, punonjësit ose agjentëve të tij, e bërë me qëllim për të shkaktuar dëm” thuhet në nenin 143.

Kompensimi për bagazhet

I njëjti Kod trajton në një nen të veçantë edhe mënyrën sesi bëhet kompensimi për bagazhet e dëmtuara. Kjo shumë mund të arrijë deri në 1200 euro ndërkohë që të gjitha detajet e tjera përcaktohen në shtatë pika të nenit 144.

“1. Transportuesi është përgjegjës për dëmet e shkaktuara në rast shkatërrimi, humbjeje ose dëmtimi të bagazheve të dorëzuara (checked baggage), kur këto veprime ndodhin në bordin e avionit apo gjatë periudhës në të cilën bagazhi i dorëzuar është në përgjegjësinë e transportuesit. Transportuesi nuk është përgjegjës kur dëmtimi rrjedh nga një defekt i trashëguar, cilësi ose cen i bagazhit.

2. Transportuesi është përgjegjës për dëmin e shkaktuar, në rast vonese të bagazhit të dorëzuar, përveçse kur vërteton se ai, punonjësit dhe agjentët e tij morën të gjitha masat e mundshme për të shmangur dëmtimin ose kur marrja e masave të tilla ishte e pamundur.

3. Në rast humbjeje, shkatërrimi ose dëmtimi të bagazhit të dorës (hand baggage), përfshirë edhe sendet vetjake, transportuesi është përgjegjës nëse vërtetohet që ai, punonjësit dhe agjentët janë fajtorë për veprimet e kryera. Në rast vonese të bagazhit të dorës zbatohet, sipas rastit, pika 2 e këtij neni.

4. Në rastet e pikave 1, 2 dhe 3, të këtij neni, përgjegjësia e transportuesit për shkatërrimin, humbjen, dëmtimin ose vonesën kufizohet në 1 000 (një mijë) SDR për çdo pasagjer. Ky kufizim nuk respektohet nëse, në kohën kur bagazhi i dorëzuar është marrë nga transportuesi, pasagjeri bën një deklaratë të veçantë interesi për dorëzimin në destinacion dhe, sipas rastit, paguan një shumë shtesë. Në këtë rast, transportuesi paguan shumën e deklaruar, përveç rastit kur ai provon se shuma e deklaruar është më e madhe se interesi aktual i pasagjerit në dorëzimin në destinacion.

5. Pika 4 e këtij neni nuk respektohet në rast se dëmtimet janë të qëllimshme ose shkaktohen nga neglizhenca e transportuesit, punonjësve ose agjentëve të tij.

6. Në rast dëmtimi, pritësi i bagazheve ankohet tek transportuesi në çastin e zbulimit të dëmtimit, por jo më vonë se 7 (shtatë) ditë nga data e marrjes, në rastin e bagazhit të dorëzuar. Në rast dëmtimi, për arsye vonese, ankimi bëhet jo më vonë se 21 (njëzet e një) ditë nga data kur ai ka marrë bagazhin në dorëzim. Ankesa bëhet me shkrim. Nëse ankesa nuk bëhet brenda afateve, transportuesi nuk mban përgjegjësi. Nëse pasagjeri e pranon bagazhin e dorëzuar pa ndonjë rezervë, prezumohet se bagazhi është marrë pa dëmtime.

7. Në rast se bagazhi i dorëzuar ka humbur, kërkesa, sipas pikës 1, të këtij neni, bëhet vetëm nëse transportuesi pranon humbjen ose me kalimin e periudhës 21 (njëzet e një)-ditore nga data kur bagazhi duhej të kishte arritur” thuhet në nenin 144 të Kodit Ajror të miratuar në mbledhjen e qeverisë./monitor/

Article Logic
Execution time: 0.0036780834197998