Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka konfirmuar Arta Marku në detyrën e Prokurores së Përkohshme të Përgjithshme.
Sipas KPK-së, Arta Marku rezultoi e pastër në tre shtyllat e Vetting-ut.
Edhe në dhënien e vendimit, Marku nuk ishte e pranishme në sallë, por u përfaqësua nga avokatja e saj.
“Trupi gjykues pasi dëgjoi avokaten, përfaqësuese e subjektit të rivlerësimit, e konsideron të përfunduar seancën dëgjimore. Trupi gjykues vendosi konfirmimin në detyrë të zonjës Arta Marku”, tha relatorja e çështjes.
Kalimi me sukses i procesit të rivlerësimit të figurës, bën që Arta Markut t’i lindë e drejta për tu zgjedhur si drejtuese e organit të akuzës me një mandat të plotë 7-vjeçar sipas ligjeve të reja të reformës në drejtësi.
Kujtojmë se në raportin e ILKDPI, Marku rezulton se nuk ka fshehur pasurinë dhe DSIK e cilëson si një figurë të pastër.