Ajo që Luiz Ejlli ndjen ndaj Kiara Titos, i ka kaluar caqet e pëlqimit dhe dukshëm duket se është një ndjenjë e vërtetë. Dalim në këtë konkluzion nisur nga veprimet e tij ditët e fundit, sidomos pas lëndimit të moderatores.
Kiarës iu thye shumë besimi ndaj Luizit pas “gënjeshtrës” që produksioni i nxorri në “prime” për sëmundjen e tij dhe i foli me fjalë të ashpëra. Mirëpo këto ditët e fundit ndonëse kjo nuk i ka kaluar akoma, Tito është shoqëruar më shumë me Luizin dhe madje disa herë i ka dalë në mbrojtje.
Këtë moment nuk kishte si të mos e “shfrytëzonte” artisti. Së fundmi Kiara ka realizuar një bisedë me Luizin, ku ky i fundit e ka pyetur drejtpërdrejtë: “A e ke menduar ndonjëherë veten me mua?”
Moderatorja nuk ka hezituar t’i përgjigjet dhe përgjigjja e saj dukshëm e ka lumturuar Luizin. “E kam menduar, por para gënjeshtrës,”-u shpreh Kiara. Luizit iu rikthye dukshëm buzëqeshja.
Kujtojmë që gjatë një loje me karrige disa ditë më parë, moderatorja Kiara Tito pësoi një lëndim për të cilin u desh ndërhyrja e ndihmës së shpejtë. Ajo u shtri përtokë me një dhimbje muskulore, për të cilën më vonë mësoi nga mjekët se ishte hernie diskale. Kiara u nxorr nga shtëpia dhe u dërgua për mjekim, për t’u rikthyer disa orë më vonë.
I vetmi që i qëndroi pranë gjatë gjithë kohës kur u lëndua ishte Luizi, ndërsa disa nga konkurrentët e tjerë afroheshin e largoheshin për të marrë vesh ç’kishte ndodhur (një pjesë e madhe as nuk ia hodhi sytë). Mirëpo, Luizi ishte ai që gjithashtu i qëndroi tepër pranë dhe i gatshëm ta ndihmonte pas rikthimit të saj në shtëpi. Ai i përgatiti ushqim, e ndihmoi me sendet personale, i bëri fresk, i këndoi që ta zinte gjumi dhe madje i qëndroi mbi kokë derisa e pa që ajo ishte në gjumë të thellë.