INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION MED+ SPORTS VIDEOS
A kryhet masakër në parajsën e romanticitetit?

A kryhet masakër në parajsën e romanticitetit?

Publikuar më: 11:19 15-07-2016

Nga Rezear Xhaxhiu

Të godasësh në Promenade des Anglais është sikur të shkatërrosh kopshtet e Babilonisë, sikur t’i masakrosh, shkelësh dhe t’i urresh ato. Promenade des Anglais (shëtitorja e anglezëve) është një parajsë e vërtetë mbi tokë dhe buzë detit. Një superbulevard rreth 3 km i gjatë brenda së cilit ndodhen të gjitha mrekullitë, estetika, bukuritë dhe arkitektura që një mendje njerëzore mund të bashkojë brenda një sipërfaqeje të tillë. Me katër korsitë e saj, shtrirë buzë një deti blu, Bulevardi është krenaria e Nicës dhe e francezëve, është ëndrra e çdo turisti që kërkon të mbërrije në Francë, është paqja dhe drita, relaksi dhe raporti i mrekullueshëm që ti krijon mes detit, njerëzve të qetë e të paqtë, ndërtesave madhështore dhe një gjelbërimi dehës.

 Promenade des Anglais i ka të gjitha çfarë mund të dojë të shijojë njeriu. Korsinë e biçikletave ku qindra të rinj pedalojnë nën perëndimet magjike të Nicës, ka korsinë e këmbësorëve, të atyre qindra mijëra turistëve që baresin në të gjitha stinët e vitit, ka minikopshtet ku gjallojnë dhjetëra lloje lulesh të mbërritura nga çdo anë e botës. Një mori stolash blu janë vendosur përballë detit, atij deti që ka frymëzuar dekadë pas dekade poetë e romancierë, piktorë e kineastë. Janë frymëzuar në ato stola Matiss e Chagall, Pikaso e Mopassan, Andre Breton apo Apollinaire si dhe titanë të tjerë të letrave botërore.

Promenade des Anglais është paqja mbi tokë, është buzëqeshja mbi det, është e bukura dhe estetikja, atje ku njerëzit në shëtitjet e tyre e vetmja gjë që nuk mund t’u vijë ndërmend është vdekja. Sepse vetëm vdekja nuk ka lidhje me atë botë magjike që buron nga çdo korsi, nga çdo lule, nga çdo stol, nga çdo palmë apo shandan ndriçimi.

Boulvard des Anglais është një klithmë kënaqësie, e cila frikëson çdo vdekje, çdo dëshirë për të bërë keq...  Por...dhe pikërisht në këtë univers paqeje vdekja goditi mbrëmë, në momentin kur njeriu i thjeshtë, fëmija me kukullën në dorë, gjimnazistja me crepin e sapoblerë, ai çifti italian që ishte duke u puthur nën dritën e fishekzjarreve, ishin duke shijuar magjinë e një nate korriku, atë magji që ta shumëfishon vetëm Promenade des Anglais.

Article Logic
Execution time: 0.0036351680755615