INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION MED+ SPORTS VIDEOS
A mos po nis lufta SHBA - Kore e Veriut?!

A mos po nis lufta SHBA - Kore e Veriut?!

Publikuar më: 08:05 18-04-2017

Pak kohë pasi nënpresidenti amerikan, Mike Pence, deklaroi se “koha e durimit strategjik” ndaj Koresë së Veriut “ka marrë fund”, sekretari për media i Shtëpisë së Bardhë tha se duhet pasur tolerancë edhe për pak durim.

“Mendoj se do të vazhdojmë të punojmë me Kinën, për të na ndihmuar që të gjejmë një rrugë përpara”, tha Sean Spicer në konferencën me gazetarë.

Ai shtoi se administrata do t’i japë Pekinit kohë për të shfrytëzuar ndikimin e tij ekonomik dhe politik mbi Phenjanin.

Koreja e Veriut ka shpeshtuar provat e saj bërthamore dhe rakterore, viteve të fundit, pavarësisht dënimeve nga komuniteti ndërkombëtar dhe sanksioneve nga Kombet e Bashkuara.

Qëllim i saj është të ketë kapacitet për të vënë kokat bërthamore në raketa balistike ndërkontinentale, të cilat mund të arrijnë caqe në gjithë botën, përfshirë Shtetet e Bashkuara.

Presidenti amerikan, Donald Trump, ka thënë se kjo nuk do të ndodhë dhe ka rritur presionin mbi Phenjanin.

Ai ka dërguar aeroplanmbajtëse drejt Gadishullit Korean, ndërsa SHBA dhe Koreja e Jugut kanë nisur të vendosin një sistem të mbrojtjes raketore.

Zëvendësambasadori i Koresë së Veriut në Kombet e Bashkuara, Kim In Ryong, tha se SHBA po e shtyn Gadishullin Korena “në prag të luftës” dhe paralajmëroi se “lufta bërthamore mund të shpërthejë në çdo moment”.

Retorika e tillë agresive, megjithatë, është e zakonshme nga media shtetërore e Koresë së Veriut dhe vetë zyrtarët verikoreanë.

Por, vëzhguesit thonë se, pavarësisht tensioneve, Koreja e Veriut mund të kryejë së shpejti testin e gjashtë bërthamor. Ajo ka bërë përpjekje të testojë një raketë të dielën, por ka eksploduar vetëm pak sekonda pas nisjes.

Kina ka përsëritur thirrjet e saj për Phenjanin që të ndalojë të gjitha provat dhe ka bërë thirrje për zgjidhje paqësore.

Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Kinës, Lu Kang, tha se Gadishulli Korean është “shumë i ndjeshëm, i komplikuar dhe me rrezik të lartë” dhe se të gjitha palët “duhet të shmangin veprimet provokuese që derdhin vaj mbi zjarr”.

Ministri i Jashtëm i Rusisë, Sergei Lavrov, tha se shpreson se SHBA nuk do të ndërmarrë veprime të njëanshme ushtarake kundër Koresë së Veriut, ashtu siç ka bërë së voni në Siri.

“Lëshimet aventureske raketore të Phenjanit i shohim si të papranueshme, sepse shkelin rezolutat e Këshillit të Sigurimit të OKB-së. Por, kjo nuk do të thotë se të tjerët mund të shkelin ligjin ndërkombëtar dhe të përdorin forcën ushtarake”, tha Lavrov.

Nënpresidenti amerikan, Mike Pence, ka thënë se “Koreja e Veriut do të bënte mirë” nëse nuk do të testonte vendosmërinë e presidentit Trump ose fuqinë e forcave të armatosura të SHBA-së. /REL/

Article Logic
Execution time: 0.0036270618438721