Kryetari i demokratëve, Lulzim Basha ka folur për pretendimet se ai dhe familja e tij po survejohej nga policia. I ftuar në Opinion, Basha tha se shteti shqiptar ka degraduar.
“Mbrojtja nuk bëhet nga policia por nga Garda e Republikës. Çdo minutë e harxhuar për mbrojtjen time është lekë i shpërdoruar kot nga taksapaguesit shqiptarë. Kjo çështje nuk më shqetëson, jam kërcënuar dhe më herët" tha Basha.
Lulzim Basha ka ripërsëritur akuzat ndaj Ministrit të Brendshëm Fatmir Xhafaj, vëllai i të cilit sipas opozitës është implikuar në trafikun e lëndëve narkotike
“Ministri Xhafaj është përfshirë drejtpërdrejtë duke krijuar rrethana false dhe lehtësuiese me qëllim që Agron Xhafaj ti shpëtoj dënimit. Nuk ka asnjë dyshim që Ministri është bërë pjesë e kësaj afere. Ndërhyrjet kanë filluar që kur Agron Xhafaj është arrestuar. Edhe pse është dënuar me vendim të formës së prerë nuk ka vuajtuar asnjë ditë dënim” është shprehur kreu i demokratëve.
Kreu i Partisë Demokratike, ka paralajmëruar një denoncim të fortë që opozita shqiptare do të publikojë diçka tjetër pas versionit zyrtar të audio-përgjimit, ku përfshihet drejtpërdrejt për trafik droge Agron Xhafaj, vëllai i ministrit të Brendëshm; Fatmir Xhafaj.
Basha tha në studion e emisionit ‘Opinion’ se pritet të shpërthejë diçka e madhe, e cila do trazojë nga themelet qeverinë socialiste.
“Ata do të thonë ka qenë ky, s’ka qenë Agron Xhafaj. Por pas kësaj do të ketë një surprizë të madhe. Pasi ata të bëjnë këtë lojën, do të kemi një surprizë të madhe. Kjo surprizë do të vjerë andej nga nuk e pret. Pasi t’a shpallin të pavlefshëm audio-përgjimin, pasi Edi Rama ka përcaktuar linjën politike duke thënë se nuk është i vërtetë”,- tha Basha.