Deklarata e shefit të Emergjencave Civile, Shemsi Prençi, shkaktoi jo pak panik tek qytetarët, për shkak të rrezikut dhe kujtimeve të hidhura të tërmetit katastrofik të vitit 1967, i cili regjistroi 12 viktima dhe afro 180 të plagosur në zonën e Elbasanit, Librazhdit dhe Dibrës.
Sizmiologu Edmond Dushi nga Instituti i Gjeoshkencës, pohoi se nuk ka vend për panik pasi situata është në kushte normale dhe nuk ka të dhëna për alarm.
“Mund të themi që është një situatë normale, vendi ynë karakterizohet nga një aktivitet i tillë. Mund të jenë dhe paralajmëruese, shpeshherë kur vihet re një shtim i mikrotërmeteve në zona të caktuara por çka nuk vihet re në territorin e Shqipërisë, këto janë tërmete sporadike që shtrihen në të gjithë territorin e vendit”, u shpreh Dushi.
Sa i përket periudhave të ripërsëritjes së tërmeteve, Dushi shtoi se nuk mund të thuhet që ky vit është periudha kur do të ripërsëritet tërmeti i 1967-ës.
“Në bazë të statistikave është përcaktuar që kjo periudhë përsëritje është cdo 30-35vjet, Nuk mund të themi nëse ky vit do të jetë më aktiv apo jo në aspektin sizmik. Kjo i lihet natyrës”, shton Dushi per ReportTv.
Çfarë ndodhi nga tërmeti i 1967 në Shqipëri
Në Shqipëri janë regjistruar disa tërmete, por më i rëndi është ai i vitit 1967 në Librazhd dhe Dibër. Në këtë zonë në vitin 1967 është regjistruar tërmeti me fuqi 6.6 ballë, që solli shkatërrime të mëdha.
Nga tërmeti u shkatërruan 177 fshatra, humbën jetën 12 persona dhe 174 të tjerë u plagosën. Toka u ça në gjatësi mbi 10 kilometra, ndërsa pati zhvendosje vertikale të dheut deri në 50 centimetra.