Protestuesit e opozitës duket se e kanë nisur aksionin e tyre që në fillim të udhëtimit. Mësohet se protestuesit që po vijnë nga qytete të ndryshme në Tiranë mbajnë me vete më automjetet e tyre targën e automjetit shtetëror të ish-ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri AA 003 GB duke i shtuar edhe epitetin “i paprekshëm”.
Targa e makinës “Audi” të Tahirit, AA 003 GB doli nga përgjimet e bandës së Habilajve, një ndër bandat e krimit të organizuar. Makina shtetërore me këtë targë ishte pronë e Saimir Tahirit dhe dyshohet se përdorej nga banda e Habiljave për lehtësimin e trafikut ndërkombëtar të kanabisit.
Sipas PD, protestuesit e mbajnë targën AA 003 GB me mbishkrimet “narkoshteti” dhe “të paprekshëm” për të treguar se kanabizimi i Shqipërisë ishte projekt politik i Edi Ramës, i cili vazhdon të jetë përfituesi kryesor i trafikut ndërkombëtar të drogës dhe mbrojtësi i tyre nga drejtësia.
Përdorimi i makinës së Ministrit të Brendshëm me targën AA 003 GB nga banda e Habilajve u denoncua nga oficeri Dritan Zagani në tetor 2015.