INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION MED+ SPORTS VIDEOS
Abuzimet seksuale/ Në Kosovë 123 raste të fëmijëve nën 16 vjeç

Abuzimet seksuale/ Në Kosovë 123 raste të fëmijëve nën 16 vjeç

Publikuar më: 14:45 10-02-2019

Gjatë dy viteve të fundit në Kosovë janë keqpërdorur seksualisht 123 persona nën moshën 16-vjeçare.

Lajmi për abuzimin e dyfishtë seksual ndaj të miturës nga Drenasi ka pushtuar shtypin kosovar dhe atë ndërkombëtar. Abuzim seksual si të vajzës nga Drenasi e kanë përjetuar edhe 123 persona të mitur në dy vitet e fundit në Kosovë.

Sipas statistikave të policisë në vitin 2017 janë raportuar gjithsej 62 raste të keqpërdorimit seksual ndaj personave të mitur, kurse në vitin 2018 janë paraqitur 61 raste të tilla që në total kapin shifrën e 123 rasteve.

Kjo formë e ngacmimit dhe keqpërdorimit seksual ndryshe njihet edhe si pedofili. Përveç kësaj pedofilët gjatë kësaj periudhe kohore keqpërdorur 13 të mitur për pornografi.

“Keqpërdorimi i fëmijëve në pornografi në vitin 2017 ndodhën 6 raste ndërsa në vitin 2018 ndodhën 7 raste”, tha policia.

Pas rastit të vajzës nga Drenasi, autoritetet e rendit kanë arrestuar profesorin që keqpërdori seksualisht të miturën, policin po ashtu si dhe mjekun që dyshohet se kreu abortin e vajzës. Ndaj policit Vesel Veseli Gjykata Themelore e Prishtinës ka caktuar një muaj paraburgim. Një muaj paraburgim u shqiptua sot edhe për profesorin Shkelzen Xhekaj, para gjykatës do të dalë edhe doktori Fehmi Ahmeti nën dyshimin se ka bërë ndërprerjen e palejuar e shtatzënisë- abort.

Në shenjë solidarizimi për rastin që tronditi të gjithë u organizuan edhe protesta. Të enjten u protestua në Prishtinë para stacionit të policisë me moton “përdhunuesit në burg”, për të vazhduar të premten në protestë në qytetin e Drenasit.

Për këtë rast u mbajt dje seancë në Kuvendin e Kosovës. Rastin e dënuan liderët e shtetit, përfaqësuesit e popullit në Kuvend, shoqëria, civile artistët e qytetarë të shumtë.

Mbrëmë u dha lajmi se seksualisht u keqpërdor edhe një e mitur nga një pjesëtar i FSK-së. Prokuroria Themelore e Gjilanit ka caktuar masa e ndalimit prej 48 orësh ndaj personit me inicialet M.SH për veprën penale “keqpërdorim seksual ndaj të miturës 15-vjeçare”.

Ndërsa, sot u raportua se Prokuroria Themelore në Gjakovë, ka ngritur aktakuzë kundër arsimtarit B.V, të shkollës “Mazllum Këpuska” në Gjakovës për shkak të veprës penale ‘’keqpërdorimi i personave nën moshën 16 vjeçare’’

Sipas aktakuzës i pandehuri B.V., që nga shtatori i vitit 2018, në cilësinë e mësimdhënësit të gjuhës shqipe në shkollën fillore “Mazllum Këpuska’’, në Gjakovë, në mënyrë të vazhdueshme ka ngacmuar seksualisht 27 nxënës të një klase në këtë shkollë, duke përdorur fjalë joshëse e duke i ledhatuar e prekur në pjesë të fytyrës dhe në pjesë të ndryshme të trupit.

“Me këto veprime ekziston dyshimi i bazuar mirë, se i pandehuri ka përmbushur elementet e veprës penale të përshkruar më lartë. Prokurori rastit, ka propozuar Gjykatës Themelore në Gjakovë që i pandehuri të dënohet sipas ligjit për veprën penale e cila i vihet në barrë”, u tha në njoftimin dërguar mediave.

Article Logic
Execution time: 0.0021829605102539