Policia braziliane është vënë në kërkim të më shumë se 30 personave që dyshohen se kanë përdhunuar një adoleshente në Brazil dhe kanë postuar në rrjetet sociale videon e sulmit. Siç raportohet, vajza kishte shkuar në shtëpinë e të dashurit të saj të shtunën, kishte humbur ndjenjat dhe kur ishte zgjuar e gjeti veten të rrethuar nga burrat.
Autoritetet kanë lëshuar urdhër-arreste, përfshirë një për të dashurin e vajzës. Rasti nxiti ndërmarrjen e një fushate “online” kundër asaj që aktivistët e quajnë “kultura e përdhunimit në Brazil”. Versione kontradiktore të historisë vazhdojnë të dalin në dritë, por vetë vajza rrëfen se në fundjavë kishte shkuar në banesën e partnerit të saj, ku edhe ndodhi përdhunimi. Të dielën në mëngjes ishte zgjuar e zhveshur dhe e plagosur. Vetëm disa ditë më vonë zbuloi se disa prej përdhunuesve të dyshuar kishin nxjerrë imazhet e sulmit në Twitter.
Videoja që zgjat 40 sekonda është shpërndarë masivisht dhe shkaktoi reagime të ashpra përpara pezullimit të llogarisë së përdoruesve. Grupe aktivistësh kanë kërkuar mbajtjen e protestave përgjatë ditëve në vazhdim. Gratë e OKB-së, një grup i Organizatës së Kombeve të Bashkuara, i kërkoi autoriteteve të hetonin rastin, por duke respektuar viktimën e duke mos e cënuar privatësinë e saj.