INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION MED+ SPORTS VIDEOS
Agolli e Kadare thirrje për miratimin e reformës, ja 27 personalitetet që firmosën

Agolli e Kadare thirrje për miratimin e reformës, ja 27 personalitetet që firmosën

Publikuar më: 09:35 20-07-2016

27 intelektualë shqiptarë brenda dhe jashtë vendit, i janë bashkuar thirrjes publike që shkrimtari i njohur Dritoro Agolli i ka drejtuar klasës politike shqiptare për të votuar ndryshimet Kushtetuese, një ditë përpara seancës Parlamentare ku do të diskutohet reforma në drejtësi.
Shkrimtarë, ish presidentë, njërëz nga bota e artit janë bashkuar në thirrjen e tyre publike për miratimin e reformës në drejtësi, si një element kyç për të ardhmen e vendit. Letra është hartuar nga Dritoro Agolli, ndërsa thotë se seanca plenare e 21 korrikut është vendimtare për ti dhënë fund tranzicionit 25 vjeçar në vendin tonë.
Letra e Dritoo Agollit:
“Të nderuar deputetë të Kuvendit të Shqipërisë!
Orët e nesërme të miratimit të reformës në drejtësi janë pa asnjë dyshim vendimtare dhe nga më të rëndësishmet që ju kini provuar ndonjëherë. Këto janë orë të një prove të madhe të përkushtimit dhe të ndershmërisë suaj para qytetarëve që iu kanë dhënë votën. Vota juaj nesër do të tregojë se jeni vërtetë të shqetësuar dhe të përkushtuar për përparimin e këtij vendi, për t’i dhënë fund tranzicionit të gjatë më shumë se 25 vjeçar dhe se sa e doni integrimin e Shqipërisë në familjen evropiane.
I kemi ndjekur me vëmendje debatet dhe diskutimet për reformën që vazhdojnë pambarimisht prej afro dy vjetësh. Ka një shqetësim dhe një pritje të madhe me padurim nga shumica dërmuese e qytetarëve të këtij vendi që reforma të bëhet.
Kjo është reforma më e rëndësishme që po bëhet në Shqipëri që nga përmbysja e regjimit komunist. Kjo reformë kushtetuese i ndalon njerëzit e inkriminuar e të korruptuar të hyjnë në politikë dhe në organet e drejtësisë. Pastron parlamentin, administratën dhe partitë nga njerëz që kanë bërë krime apo që kanë vënë pasuri të paligjshme. Po të ishte bërë më parë kjo reformë, nuk do të flitej për dekriminalizimin. Drejtësia nuk do të ishte kaq e korruptuar. Prandaj dhe populli e ka humbur besimin te drejtësia. Shqipëria jonë do të ishte shumë më e përparuar dhe më e begatë nga ç’është sot.
Prandaj, nisur nga momenti historik dhe rëndësia e jashtëzakonshme e kësaj reforme, është më mirë që secili prej jush, deputetëve të këtij Kuvendi, nesër kur të hyni në seancën për miratimin e reformës të dëgjoni në radhë të parë e mbi të gjitha zërin e qytetarëve të këtij vendi që ju kanë votuar dhe të pyesni e vendosni me përgjegjësinë e ndërgjegjes suaj.
Ne jemi të bindur se reforma do të bëhet. Po është mirë të bëhet tani. Sepse këtu ndahet e shkuara me të ardhmen. Ky moment i hap Shqipërisë perspektivën evropiane, ndaj dhe në favor të kësaj perspektive duhet të vendoset pa hezitim nga ju që populli shqiptar u ka votëbesuar.
Ne na vjen mirë dhe përshëndesim faktin që Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Europian kanë një qëndrim të palëkundur pro kësaj reforme. Ky qëndrim i prerë i partnerëve tanë perëndimorë jep garanci jo vetëm që do të bëhet reforma, por që do të bëhet ashtu si duhet. Deputetët e ndershëm nuk duhet t’i tremben këtij fakti. Kjo reformë vë në binarë demokracinë dhe shtetin e së drejtës, për të cilat ne aspirojmë prej më shumë se një çerek shekulli.  
Ja firmëtarët:
Dritëro Agolli, shkrimtar
Moikom Zeqo, shkrimtar
Pëllumb Xhufi, Profesor
Alfred Moisiu, ish-President
Bamir Topi, ish-President
Servet Pëllumbi, ish-kryetar Kuvendi
Ismail Kadare, shkrimtar
Arben Puto, Profesor
Alfred Uçi, Profesor
Pajtim Lutaj, Profesor
Daut Gumeni, shkrimtar
Xhevat Lloshi, gjuhëtar
Diana Çuli, shkrimtare
Luan Omari, konstitucionalist
Niazi Jaho, konstitucionalist
Sabit Brokaj, mjek
Nasho Jorgaqi, shkrimtar
Limos Dizdari, kompozitor
Irini Qirjako, artiste
Xhevahir Spahiu, poet
Fatos Tarifa, Profesor
Ksenofon Krisafi, Profesor
Ymer Minxhozi, publicist
Luftar Paja, aktor
Bardhosh Gaçe, Profesor
Fatos Klosi, Profesor
Idajet Beqiri, avokat

Article Logic
Execution time: 0.0088498592376709