Pas trajnerit De Biasi, në konferencën për shtyp ka dalë edhe Ansi Agolli, kapiteni i kombëtares pas largimit të Lorik Canës. Agolli ka vlerësuar izraelitët, duke theksuar se kanë një skuadër cilësore si dhe ka folur edhe për masat e shumta të sigurisë të marra për këtë ndeshje.
“Masat e sigurisë nuk na turbullojnë. E rëndësishme është ndeshja e nesërme dhe mendimet tona janë tek kjo ndeshje. Ndeshja është kundër një skuadre mjaft cilësore, sidomos në sulm, kështu që ne duhet të jemi gati e të japim maksimumin”, tha Agolli.
I pyetur se nëse ekipi ka mbetur me pasoja pas ndeshjes me Spanjën, ai tha se tashmë ajo humbje është harruar totalisht dhe ekipi është stërvitur i qetë.
“Të mundesh nga Spanja nuk është fundi i botës, nuk ka asnjë goditje psikologjike. Kemi bërë një përgatitje të mirë në një ambient të qetë dhe jemi gati për nesër”.
Për sa i përket objektivave dhe një kualifikimi të mundshëm në Botëror, lojtari tha se e rëndësishme është gjithmonë ndeshja e radhës dhe nuk mendohet për objektiva.