INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION MED+ SPORTS VIDEOS
Ahmetaj prezanton Aktin Normativ 2 : Shlyem detyrimet e prapambetura të kompanive private

Ahmetaj prezanton Aktin Normativ 2 : Shlyem detyrimet e prapambetura të kompanive private

Publikuar më: 15:53 23-01-2017

Akti Normativ 2  ndryshoi për herë të dytë buxhetin e shtetit brenda vitit, pas miratimit të bërë nga qeveria në fund të muajit dhjetor. Gjatë prezantimit të këtij akti normative në komisionin parlamentar të Ekonomisë dhe Financave, Ministri Arben Ahmetaj u shpreh se janë shlyer të gjitha detyrimet e prapambetura të krijuara rishtaz ndaj kompanive private. Sipas kreut të financave ndryshimi i Aktit Normativ erdhi për të përmbushur dy angazhime themelore të Qeverisë. Bëhet fjalë për shlyerjen e detyrimeve të prapambetura të Ministrisë së Transportit si dhe për të mundur një trajtimi sa më dinjitoz të kategorive të shtresës më vulnerabël të shoqërisë, nëpërmjet ‘paketës së solidaritetit’. “Propozimi i këtij Akti Normativ, i jep zgjidhje situatës aktuale të detyrimeve të reja të krijuara nga njësitë e qeverisjes qendrore, duke shlyer gati 100% të tyre. Kjo, nëpërmjet hapësirës së krijuar nga fondet e lira dhe rialokimet e tjera, në funksion të rritjes së efiçencës së përdorimit të fondeve buxhetore, si korente por sidomos atyre kapitale”-u shpreh Ahmetaj. Me anë të këtij akti normative u bë rishpërndarja e fondeve brenda buxhetit. Katër miliardë lekë u akorduan për shpërblimet e fundvitit dhe 450 milionë lekë për shlyerjen e dëmshpërblimeve nga fatkeqësitë natyrore. Po kështu 142 milionë shkuan për shlyerjen e detyrimeve për mirëmbajtjen e rrugëve, si dhe 3.66 miliardë lekë u alokuan për shlyerjen e detyrimeve të prapambetura për kontratat e punimeve në infrastrukturë.

Article Logic
Execution time: 0.0036358833312988