INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION MED+ SPORTS VIDEOS
Ajeti: Nuk ka miq në ndeshjen ndaj Zvicrës

Ajeti: Nuk ka miq në ndeshjen ndaj Zvicrës

Publikuar më: 12:52 31-05-2016

Atmosfera në Kombëtare është mjaft e mirë. Grupi, pika më e fort e Shqipërisë, është në harmoni të plotë dhe këtë e konfirmon Arlind Ajeti.

“Harmonia është shumë e mirë. Këtu në Kombëtare jemi si në familje, të gjithë jemi të kënaqur. Nuk jemi vetëm bashkëlojtarë, por edhe miq. Shumë kohë e shfrytëzojmë bashkë. Është gjithmonë kënaqësi të jesh në Kombëtare.”

Mbrojtësi që në gjysmën e dytë të sezonit spikati në Serinë A, tregoi emocionet e golit të parë me fanellën kuqezi, në miqësoren me Katarin, ndërsa garantoi se problemi i golave të shpejt të pësuar nuk do të përsëritet në finalet e Kampionatit Europian.

“Është moment emocionues. edhe pse kundërshtari nuk ishte shumë i fort, për një qendër mbrohtës nuk vijnë shumë gola. Jam i kënaqur sepse ishte goli i parë në Kombëtare. Ka ndodhur në disa ndeshje, por duhet të jemi më të përqendruar prej minutës së parë. Jo vetëm mbrojtësat apo portieri, por të gjithë. Duhet ta shënojmë ne golin e parë dhe jo të pësojmë. Por në Europian kjo nuk do të ndodhë.”

Ajeti e nisi si titullar miqësoren e 29 Majit dhe ashtu si lojtarët që do të udhëtojnë drejt Francës pretendon një vend në formacion, edhe pse në fund do të pranojë çdo vendim të trajneri De Biasi.

“Këtu të gjithë duan të luajnë titullarë, do të ishte gabim e kundërta. Shpresoj që të luaj titullar, por edhe Loriku, Mërgimi apo Gjimshiti kanë cilësi të jenë në formacion. Gjithsesi vendimin final e merr trajneri. Të sigurt nuk e kam vendin. Në fund e vendos trajneri. Unë shpresoj të jem titullar, por të shohim.”

Me Shqipërinë që debuton në Euro 2016 përballë Zvicrës, Ajeti zbuloi lidhjet me yjet shqiptarë të helvetëve, ndërsa dha edhe vlerësimet se cilët kundërshtarë rrezikojnë ti krijojnë më tepër probleme mbrojtjes kuqezi.

“Kontakte kam me Xherdanin. Kemi luajtur bashkë për shumë kohë, ashtu si edhe me Granitin. Por, deri më tani nuk kemi diskutuar për ndeshjen në Europian, vetëm biseda private. Por, miq nga Zvicra në atë ndeshje nuk ka. Besoj unë e njoh më tepër Xherdanin, pasi ai ka pasur më tepër mundësi të tregojë vlerat. Është një ndeshje ku gjithçka mund të ndodhë në një fraksion, por jemi të përgatitur. Rumania ka mbrojtje shumë të fortë, por besoj se në sulm janë pak më të dobët sesa Zvicra dhe Franca, që kanë lojtarë të mëdhenj.”

Mbrojtësi foli edhe për eksperiencën në Serinë A me Frosinonen, duke konfirmuar se me rënien e skuadrës nga kategoria është në kërkim të një klubi të ri, ku preferenca është të qëndrojë në Itali.

“Kam mësuar shumë. Në Zvicër nuk luhet si në Itali, pasi në Serinë A ka shumë taktikë dhe shumë lojë me kokë. Aty jam përballur me kundërshtarë të mëdhenj dhe kam mësuar shumë. Nuk kam kontratë me Frosinonen, jam i lirë. Për momentin kam bisedime përsëri në Itali, pasi më pëlqen shumë ky kampionat. Nuk dihet se çfarë do të ndodhë, përpara europianit apo më pas për ekipin e ri. Nuk mund të përmend emra.”

Ndërsa nguroi të përgjigjej rreth vendimit të vëllait të tij, Albian Ajeti, nëse do të zgjedhë të përfaqësojë Shqipërinë apo Zvicrën, mbrojtësi kuqezi nuk ishte aq në siklet përballë një pyetje të papritur nga Ansi Agolli.

“Cili është lojtari më hokatar në Kombëtare? Taulant Xhaka, ai vetëm bën shaka.”

Article Logic
Execution time: 0.0037341117858887